Qyteti më i rrezikshëm për policinë

20/11/2014 00:00

Policia pakistaneze është vija e parë në frontin kundër talebanëve, jo vetëm në zonat malore në veri-perëndim të vendit, në kufi më Afganistanin, por edhe në qytetin e Karachi-t, zemra ekonomike dhe kulturore e Pakistanit.

Pesë muaj më parë, talebanët ndërmorën një sulm mizor në një aeroport të vendit. Për orë me radhë u zhvillua një betejë e armatosur mes policisë dhe terroristëve me pasojë 28 persona të vrarë dhe dhjetra të tjerë të plagosur.

Pjesa më e madhe e terroristëve u vranë nga policia, të tjerë hodhën veten në erë, por humbjet ishin jo të pakta edhe në radhët e policisë dhe civilëve.

Detyra kundër terrorizmit bëhet ende më e vështirë në një qytet me më shumë se 20 milion banorë, ku çdo ditë krimi i merr jetën 1 polici. Policia thotë se talebanët fshihen ën zonat periferike të qytetit dhe janë të përfshirë në të gjitha aktivitetet e paligjshme për të siguruar fonde për fushatën e tyre, duke përfshirë këtu prostitucionin, drogën dhe pijet alkoolike, që janë të ndaluara.

Për të qenë në lartësinë e luftës kundër krimit, guvernatori i qytetit më të madh të Pakistanit urdhëroi krijimin e një njësie speciale, të aftë për të ndërmarrë sulme në ato që njihen si zona të errta të qytetit, ku për njësitë normale hyrja është një tabu.

Këto njësi ndërmarrin sulme thuajse çdo natë, herë kanë sukses e herë jo. Por së fundmi lufta e tyre kundër  talebanëve është kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut që i cilësojnë metodat e përdorura prej tyre si çnjerëzore.

“Human Rights Group” në Pakistan thotë se policia torturon dhe shpesh ekzekuton të dyshuar si talebanë, pa asnjë vendim gjykate apo ndonjë vendim tjetër të strukturave përkatëse.

Megjithatë, drejtuesit e policisë mbështesin metodat e tyre duke deklaruar se “nuk mund t’u shkoh me një buqetë me lule të dyshuarve dhe t’u kërkosh që të të thonë të vërtetën për sulmet me bomba kundër civilëve apo policisë”.

Top Channel