PD: Sistemi energjitik në kolaps

20/11/2014 00:00

Për energjinë, demokratët e quajnë tashmë realitet se sistemi është në kolaps dhe këtë – thonë ata – po e paguajnë shqiptarët.

“Paraprakisht, informacionet thonë se do të kemi një çmim rreth 12 lekë për kW/h, i cili është 70 përqind më i lartë nga çmimi ekzistues, për shtresat me të ardhura të ulta dhe të mesme, të cilat konsumojnë deri në 300 kW në muaj”, tha deputeti Sherefedin Shehu.

Duke mos mbështetur atë që e quajnë zgjidhje policore të mbledhjes së faturave të energjisë elektrike, demokratët kanë dhe një sugjerim.

“I kërkojmë qeverisë që kostot, që paguhen për KESH-in dhe për Sistemin e Transmetimit dhe të Shpërndarjes, t’i shndërrojë në subvencione për qytetarët”, thotë më tej deputeti Shehu.

Duke ia adresuar kësaj qeverie të gjitha përgjegjësitë për sektorin energjitik, PD ka bindjen se furnizimi me energji do të jetë shumë herë më i kërcënuar vitin e ardhshëm, si pasojë e keqmenaxhimit – sipas saj – që po i bëhet sektorit.

Top Channel