“Me Sokolin” në 1-vjetorin e ikjes

20/11/2014 00:00

Nën tingujt e një kënge të shkruar enkas për të, miqtë e Sokol Olldashit, përkujtuan mbrëmjen e së enjtes, 1 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Mes familjarëve, politikanëve, artistëve, diplomatëve e gazetarëve, u soll një tablo e plotë e Sokol Olldashit, jo vetëm si politikan. Një prej miqve të tij më të mirë, deputeti demokrat Astrit Patozi thekson se ai i mungon të gjithëve.

“Sokol Olldashi shkon shumë përtej nesh. Ai i mungon shesheve, jo vetëm të Tiranës, por edhe rrugicave me baltë, sallave dhe salloneve, por edhe klubeve me tym, debateve të forta televizive, por edhe tavolinave, ku jo domosdoshmërisht diskutohej për politik. Sokol Olldashi i mungon poezisë shqipe, megjithëse shkroi shumë pak, por edhe muzikës, të cilën e njihte dhe e ndjente në thellësi, ndonëse nuk guxoi kurrë të kompozonte. Nuk besoj që do të habitej njeri nëse do të thosha që në një farë mënyre i mungon edhe qeverisë, ndonëse ajo e ka një kryeministër dhe natyrisht që i mungon tmerrësisht shumë edhe Partisë Demokratike, megjithëse edhe ajo e ka një kryetar”, u shpreh deputeti i Partisë Demokratike Astrit Patozi.

Sipas Patozit, Sokol Olldashi ndiqte ëndrrat e tija.

“Por ndryshe nga ëndërrimtarët depresiv që mbyten në trishtimin e tyre, Sokol Olldashi ndiqte me një logjikë, gati perfekte, pasionet e tij, duke jetuar me entuziazëm çdo çast”, shtoi Patozi.    

E nëse do të ishte ende gjallë, sipas Astrit Patozit, Sokol Olldashi do të ishte: “Me të gjithë motorët ndezur. Dihet që burrat e zotë që kanë dhe ndjekin një projekt, e kanë të sigurt rezultatin”.

E në fund të fjalës së tij, deputeti demokrati, u shpreh se edhe pse nuk mund ta kthejnë sërish në jetë mikun e tyre, por vizionin e tij po.

“Ne nuk e kthejmë dot mikun tonë të shtrenjtë, por modelin, shembullin dhe vizionin e tij po. ‘Kush ka gjë për të thënë le të mos heshtë edhe në pastë thjesht një batutë mos ta kursejë. Kush ka një ide në kokë le të dali në shesh dhe ta mbrojë, por edhe në i vjen në mendje veç një motiv apo dy nota le të luajë apo le të këndojë. Kush ka një projekt le ta zhvillojë dhe ta nxjerrë në treg. Kush ka një sfidë përpara të mos ngurojë, por ta kapërcejë’. Ky është Sokol Olldashi që kam njohur, ëndërrimtar i përjetshëm që jeton çdo sekondë”, përfundoi fjalën e tij Patozi.

Sokol Olldashi, u kujtua dhe mes poezive të tij. Një tjetër pasion i Olldashit ishte kitara, e për këtë vëllai i tij, Ardiani, rrëfeu historinë se si Sokoli u lidh kaq shumë me këtë instrument muzikor.

E në fund të ceremonisë përkujtimore, me një prej kitarave të tij, u luajtën dy nga këngët e tij të preferuara.

Në këtë ceremoni ra në sy mungesa e kryetarit të PD, Basha, ish-kryeministrit Berisha dhe ish-kryeparlamentares Topalli. 

Top Channel