Protesta e së shtunës, Basha thërret Kavajën

20/11/2014 00:00

Në një nga turet më intensive që kur mori drejtimin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha po përpiqet të sjellë në vëmendjen e publikut protestën e qytetarëve kundër qeverisë së kryeministrit Rama.

Ai e bëri këtë edhe në Kavajë, ku shumë prej banorëve shprehën hapur zhgënjimin e tyre për premtimet e pambajtura të cilave u është shtuar edhe rritja e çmimit të energjisë.

“Ky thotë 300 mijë vende pune i ka hapur, 600 mijë vende pune ky i ka blloku dhe shpija me leje, pa leje ky i rrëzoi te gjitha”, u ankua një banor.

“Pa punë, pa bukë, rritje dritash, rritje taksash. Po kjo nuk paska qenë Rilindje, kjo paska qenë murtajë”, tha një tjetër.

“Dakord të paguhen dritat, por me çfarë? Jam veti i pestë pa punë”, vijoi një tjetër.

“Vetëm me një tender energjie marrin 7 milionë euro. 600 milionë ia fal CEZ-it vetëm me një dorë. Ku i merr këto lekë? Rrëmon pastaj në xhepat e shqiptarëve për t’u marrë qindarkën e fundit njerëzve që s’kanë bukë më për të ushqyer fëmijët”, deklaroi nga ana e tij Basha.

Me disa fermerë të Kavajës, të cilët thonë se rritja e çmimeve i ka vënë në vështirësi të mëdha, kryetari i Partisë Demokratike gjeti rastin të ftojë në protestën e së shtunës çdo qytetar që mendon se qeveria nuk duhet të rrisë taksat dhe çmimin e energjisë.

“Çmimet janë rritur në stratosferë. Na vjen zor t’u themi njerëzve hajdeni të punojmë tokën. Tokat janë djerrë”, u shpreh një fermer.

“Nafta ka vajtur 2 mijë lekë. 2 mijë lekë unë s’mund ta marr këtë të plugoj tokën sepse jam pensionist, jam me 140 mijë lekë”, tha një tjetër.

“Do bënte spitalet pa lekë, ku janë? Ai i dyfishoi çmimet”, vijuan ankesat.

“Në orën 12, në sheshin “Skënderbej” të gjithë bashkë me zërin tuaj, me zërin tonë për të drejtat tuaja, për të drejtat e fëmijëve tuaj, për bukën e gojës, për të ulur dhe jo për të rritur taksat, për të mos rritur çmimin e energjisë dhe për të vënë para përgjegjësisë këdo që mund të mendojë se luan me të drejtat tuaja dhe luan me popullin”, u përgjigj Basha ndaj interesit të banorëve.

Top Channel