Investimet, misioni i vështirë i qeverisë

20/11/2014 00:00

Në fund të shtatorit, përmes një akti normativ qeveria ndryshoi buxhetin e vitit 2014. Edhe pse akti ndryshoi lehtësisht treguesin e të ardhurave dhe atë të defiçitit, në thelb ndërhyrja në buxhet kishte për qëllim të korrigjonte ecurinë e dobët të investimeve, duke i rishpërndarë fondet nga projektet me ecuri të ngadaltë tek ato që mund të realizoheshin me shpejtë.

Sipas qeverisë, kjo do të bënte të mundur që me fondin total prej 67 miliardë lekë i investimeve publike deri në fund të dhjetorit të realizohej mbi 95 për qind. Por shifrat tregojnë se ky do të jetë një mision i vështirë.

Edhe pse pas rishikimit të buxhetit ritmi është përshpejtuar, realizimi i investimeve mbetet larg programit të buxhetuar. Sipas Ministrisë së Financave, deri në fund të dhjetëmujorit, qeveria ka realizuar në total 36.6 miliardë lekë investime në projektet publike.

Për të ekzekutuar gjithë planin asaj i duhet që në dy muajt e mbetur të vitit të realizojë mbi 30 miliardë lekë, ose gati 45 për qind të gjithë fondit vjetor. Për ekspertët, kjo është e pamundur.

Vetë Ministria e Financave, jo zyrtarisht vlerëson që mosrealizimi i investimeve të arrijë të paktën mbi 10 miliardë lekë ose 15 për qind më pak se plani. Investimet janë zëri më produktiv i shpenzimeve të qeverisë, të cilat gjenerojnë punësim dhe rritje ekonomike.

Për këtë arsye ecuria e dobët e tyre ishte një nga shqetësimet më të mëdha për Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili parlajmëroi se mosrealizimi i tyre mund të prekë rritjen ekonomike.

Top Channel