PDIU: Çamëria në tekstet shkollore greke

20/11/2014 00:00

Partia për Demokraci, Integrim dhe Unitet ka kërkuar që historia e Çamërisë të përfshihet në tekstet shkollore greke, një ditë pasi ministrat e Arsimit të dy vendeve njoftuan ngritjen e komisionit të përbashkët për rishikimin e teksteve të historisë.

Në një deklaratë për mediat, Ardian Tana, ish-zv.ministër i Arsimit, ka deklaruar se Tirana zyrtare duhet t’i kërkojë Athinës edhe mundësimin e mësimit të gjuhës shqipe për emigrantët shqiptarë në Greqi.

“Para se t’i tregojë vendit tonë se si duhet të mësojë pakicën greke në Shqipëri, ministri grek duhet të shohë se me çfarë tekstesh mësojnë shqiptarët në Greqi. Shqipëria i respekton minoritetet e saj për shkak të madhështisë shqiptare dhe jo politikanëve të këqinj që herë pas here Athina dërgon në Tiranë. Rishikimi i teksteve nuk mund të bëhet me arrogancën e politikanëve. Ministri grek foli në Tiranë për t’u dëgjuar në Athinë pasi partia e tij po zhduket nga skena politike në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. PDIU dhe shoqata Çamëria i bëjnë thirrje Ministrisë së Arsimit që të kërkojë përfshirjen në histori të genocidit të Çamërisë, si një të vërtetë të pamohueshme dhe të kërkojë nga pala greke mësimin shqip të emigrantëve, arvanitasve dhe çamëve të padëbuar, në zbatim të parimit të reciprocitetit”, deklaroi Tana.

Top Channel