Greqi, plagosen në burg dy të dënuar shqiptarë

20/11/2014 00:00

Mediat greke bëjnë me dije se një konfrontim i përgjakshëm ka ndodhur orët e fundit në burgun “Shën Stefani” të qytetit të Patrës.

Sipas Agjencisë Shtetërore greke të lajmeve “AMNA”, dy të burgosur shqiptarë, përkatësisht 34 dhe 36 vjeç, janë sulmuar nga një ose më shumë të burgosur të tjerë, me mjete të forta dhe të mprehta.

Ata janë gjetur të gjakosur nga rojet e burgut, të cilët kanë njoftuar menjëherë ndihmën e shpejtë dhe dy të burgosurit shqiptarë janë çuar urgjentisht me ambulancë në spitalin e qytetit “Shën Andrea”, ku janë operuar dhe tashmë kurohen në repartin e Reanimacionit.

Ende nuk janë bërë publike emrat e dy të plagosurve, por dihet që janë të dënuar, 34-vjeçari për trafikim të lëndëve narkotike dhe 36-vjeçari për tentativë vrasjeje.

Ndërkohë, në ambientet e burgut ndodhen zyrtarë të policisë greke të Patrës, të cilët kanë filluar hetimet për të gjetur se cilët janë autorët e sulmit ndaj dy shqiptarëve, që mbeten ende të panjohur, dhe cili është motivi i aktit të kryer.

Top Channel