Cani: Energjia nuk do të shtrenjtohet.Në 2016 nis ndryshimi

20/11/2014 00:00

Ministri i Financave, Shkelqim Cani i ftuar në emisionin “Top Story” tha
se këtë vit dhe në vitin 2015 nuk do të ketë rritje të çmimit të
energjisë elektrike.

Por më vonë dicka do ndryshoje, shpjegoi Cani, sepse kosto e energjise eshte me e larte se çmimi aktual i shitjes.

“Sistemi i energjitik në tërësi nuk del me fitim edhe kur humbjet kalojnë vetëm humbjet teknike. Patjetër që një ditë do të ballafaqohemi edhe me çështjen e cmimit. A do të jetë çështja e cmimit në 2016, 2017, kjo do te shihet, por jo në vitin 2015”, tha Cani.

Heqja e fashes se mbrojtur prej 300 kilovat, sipas Canit, do shoqerohet me kompensim per shtresat e varfera dhe keto shtesa do prekin edhe pagat. Por nga ana tjeter Cani konfirmoi se do penalizohen deri edhe me humbjen e vendit te punes ata persona qe punojne ne administraten shteterore dhe qe nuk paguajne energjine elektrike. Per te mbeshtetur reformen ne sistemin energjitik, Cani tha se do te shtohen edhe 1 mije police.

Buxheti 2015, Cani: Objektiv rritja ekonomike prej 3 për qind

Qeveria përgatitet të kalojë ligjet më të rëndësishme të saj: paketën
fiskale dhe buxhetin. Por, a garanton ky buxhet rritjen ekonomike prej
së paku 3 %, siç ka premtuar qeveria apo vendi po jep shenja kolapsi,
siç paralajmëron opozita?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve dhe të tjerave që lidhen me financat e vendit mbremjen e kaluar në “Top Story” me gazetarin Sokol Balla i ftuar ishte Ministri i Financave, Shkëlqim Cani përballë analistëve, Adrian Civicit, Gjergj Erebarës dhe Skënder Minxhozit.

Ministri Cani e nisi fjalën e tij me objektivat e qeverisë me buxhetin e ri dhe bëri një panoramë të përgjithshme makroekonomike.

“Kur Ministria e Financave synon të bëjë një buxhet, në fillim sheh programin elektoral të partisë, programin e qeverisë pastaj dhe mbi këtë bazë synon të realizojë disa objektiva. Një prej tyre është sa do të jetë rritja ekonomike? Tjetër është sa janë shpenzimet e domosdoshme? Sa do të jetë huamarrja apo defiçiti sepse ka 23 vjet që ne vazhdojmë me defiçite. Shqipëria nuk është vend që ka kaluar në sufiçit. Kështu do të ndodhë edhe vitin tjetër. Mbi bazën e dëshirës për shpenzime dhe mbi bazën e mundësive vendoset për formatin e buxhetit. Nëse do më pak të ardhura, faktori i parë i llogaritjes është inflacioni, pastaj performanca më e mirë nga viti i kaluar dhe së treti nëse nevojat për shpenzime të dalin më të mëdha. Në këtë rast futesh në atë që s’i pëlqen askujt: rritjen e taksave. Pastaj rriten shpenzimet. Pse bëhet kjo? Që në një shtet të mos rriten taksat shihet se çfarë shpenzimesh do të ulen. Janë shpenzime që ulen për pensionet e atyre që nuk kanë punuar, ka shpenzime administrative, fonde rezervë, etj. Pastaj ngelen investimet. Në këtë kuptim, me buxhetin e Shqipërisë ngelen për t’u prekur investimet, që nuk janë aq të lehta sepse varen shumë nga kredidhënësit e huaj me të cilët janë nënshkruar marrëveshjet, nga grantet, ose më keq nga investime që duhet të ishin bërë në 80 për qind të pjesës së tyre. Në vitet e fundit është bërë traditë që gjatë një qeverisjeje të priten shirita në fillim, pastaj në mes dhe pastaj në fund”, deklaroi Ministri Cani.

Ardian Civici kërkoi t’i vihej një emër buxhetit. “A mund t’i vëmë një emër buxhetit? A është një buxhet që rregullon faktorët makro-ekonomikë? Është një buxhet kundër defiçitit? Një buxhet social? Për biznesin? Rritjen ekonomike? Apo një buxhet me të cilin do të mundohet të bëhet gjithçka? A mund t’i vihet një emër?”, pyeti ai.

“Teknicienët që hartojnë buxhetin bazohen tek nevojat. Shëndetësia për shembull. Kur është thënë shëndetësia falas, besoj se asnjë shqiptar nuk ka besuar se shëndetësia shqiptare do të barazohet me ato të vendeve të zhvilluara. Kjo do të jetë diçka graduale”, tha Cani.

Në buxhet parashikohet 2 për qind e GDP-së për shëndetësinë, që krahasur me buxhetin që ofrojnë vendet e zhvilluara është shumë më e ulët.  

“Ajo që bëjmë ne është rritja e buxhetit. Me rritjen e buxhetit rritet edhe kërkesa e biznesit. Në këtë drejtim ne kemi bërë një hap të rëndësishëm përpara. Ne i plotësuam biznesit gjatë vitit 2014 një mori kërkesash, në 2015 janë shumë më tepër dhe Shqipëria ka ngjitur mbi 40 shkallë në klasifikimin e të bërit biznes. Realizimin do ta shohim në fund të mandatit. Nga ato që kemi deri tani ne nuk mund të themi për shëndetësinë se do të bëjë atë që bëhet në nivelin britanik, por hapat janë drejt realizimit të shëndetësisë falas. Të marrësh një situatë jo vetëm me borxhe të thella, por edhe me borxhe të fshehura dhe të kthesh ekonominë me tregues makro nën kontroll është shumë e vështirë. Nuk mund t’i bësh të gjitha njëherësh, por do t’i bësh hap pas hapi. Ne po punojmë për ta sjellë ekonominë drejt stabilizimit në mënyrë që të ndihmojmë biznesin. Në gjykojmë se janë mjaftë politika që po shkojnë drejt nxitjes së biznesit”, deklaroi ministri Cani.

Por a janë në vëmendje të këtij buxheti shtresat në nevojë? Po biznesi që shihet si motori i rritjes ekonomike?  A është realitet që barra e taksave rritet me 160 milionë dollarë?

“Në 2014 shtresa që u dënua më shumë me sistemin e taksave për pagat, ishin shtresat e varfëra, nga aspekti social kurrë nuk mund të jepet mbulim total për shtresat në nevojë. Duhet parë jo vetëm nga këndvështrimi i taksave, por edhe nga këndvështrimi se ku do të shkojnë këto para të grumbulluara”, u përgjigj Cani.

Civici deklaroi se është e vështirë që një buxhet të realizojë edhe shërbime edhe investime publike për të patur rritjen ekonomike dhe për këtë ai pyeti Ministrin Cani.

“Kemi vendosur një objektiv për 2015, rreth 1 mld dollarë do shkojnë për t’u investuar në ekonomi, rrugë, ujë, shëndetësi. Shpenzimet do shkojnë për më shumë siguri, si tek rritja e numri të policëve dhe pajisje më të mira policia. Kemi më shumë nevojë për rend, shqiptarët duan siguri. Janë 16 masa shërbimesh dhe të gjitha këto kanë një kosto”, u përgjigj ministri.

Për gazetarin Gjergji Erebara buxheti klasifikohet si 95 përqind i djathtë dhe 5 përqind si i majtë. Por Ministri kundërshtoi: “Biznesi nuk i ka pëlqyer paketa, dhe nuk besoj që bën pjesë tek të varfërit. Biznesmenët e naftës janë ndër më të fuqishmit në vend dhe ne po i rrisim taksat. Nafta është një treg që nuk reagon në ulje cmimi. Mungesa e konkurrencës dhe marrëveshjet e fshehta të tyre vendosin cmimin. Ne si qeveri mendojmë se nuk do të ketë rritje cmimi, dhe shpresojmë që do të ketë ulje cmimi”, tha Cani.

Civici ngriti shqetësimin për rritjen e disa taksave për biznesin, që ajo për dividentin e deri tek TVSH për turizmin. “Rritja e dividentit, në 15 për qind dhe 15 për qind i ka vetë taksa biznesi shkon në 30 për qind taksë për biznesin. Pra paguan shumë më tepër taksa biznesi në vend se sa në gjithë vendet e tjera në rajon. TVSH në turizëm është më e larta në rajon, që e ka me 20 përqind, këto 3 elementë dhe reduktimi i biznesit nuk shërbejnë ekonomisë”, tha ai.

Por për ministrin Cani taksat nuk kanë qenë asnjëherë shqetësimi parës për biznesin. “Ka patur të tjera arsye, rendi, siguria, ligji, pronësia. Këto kanë qenë më parësore se sa taksat. Do të shlyejmë detyrimet e prapambetura për t’i dhënë frymëmarrje biznesit”, u përgjigj Cani.

Duke u ndalur tek energjia, Ministri i Financave tha se qeveria do të ofrojë kompensimin më të madh të dhënë ndonjëherë për shtresat në nevojë që preken nga heqja e fashës mbrojtëse.

Në fund të fjalës së tij, Ministri Cani tha se qeveria parashikon një rritje ekonomike prej 3 përqind për vitin e ardhshëm. 

Top Channel