Komiteti parlamentar për Stabilizim Asocimin BE-Shqipëri zhvilloi mbledhjen përgatitore për takimin e 8 të përbashkët që synohet të mbahet në mes të dhjetorit, megjithëse për këtë pritet të shprehet, javën e ardhshme, Konferenca e Kryetarëve.

Me kërkesë të përfaqësuesve të Komisionit, drejtuesja Monica Macovei vendosi që kjo mbledhje të zhvillohej pa praninë e medias, ku për herë të parë, që prej marrjes së detyrës në vjeshtë, informonte ambasadorja e re e misionit shqiptar pranë BE-së, Suela Janina.

Mësohet se në fokus të fjalës së saj ishte bashkëpunimi politik për ndryshimet e deritanishme ligjore, veçanërisht për administratën publike; aksioni I policisë në Lazarat dhe veri të vendit, të drejtat themelore, përfshirë LGBT, si dhe bashkëpunimi rajonal në fushën ekonomike, siç parashikon procesi I Berlinit.

Më pas, burime konfidenciale nga ky takim rrëfejnë për Top Channel, se fjala e ambasadores Janina është ndërprerë nga Macovei për shkak se kishte kapërcyer kohën e parashikuar, duke iu drejtuar përfaqësuesit të njësisë për Shqipërinë në Komisionin Europian.

Ky i fundit vërejti se vendi ka ende shumë sfida përpara, si konsolidimi i rezultateve për reformat dhe përpjekje domethënëse nevojiten për sundimin e ligjit dhe administratën publike, sipas tij, ndërsa mbetet thelbësor dialogu i qëndrueshëm politik.

E habitur që asnjëra palë nuk përmendi bojkotin e opozitës, kryetarja e Delegacionit pyeti Komisionin se çfarë masash afatgjate ka marrë për këtë bojkot.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel