Japoni, kryeministri shkrin Parlamentin

21/11/2014 00:00

Kryeministri japonez Shinzo Abe ka shkrirë parlamentin, duke u hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme. Zoti Abe po kërkon një mandat të ri për reformat ekonomike dhe po shtyn rritjen e padëshiruar të taksave.

Sondazhet e kryera në mediat lokale tregojnë se sa e ulët është mbështetja për kryeministrin dhe se shumë njerëz nuk e kuptojnë përse ai ka thirrur zgjedhje të parakohshme dy vjet përpara afatit.

Japonezët do t’u drejtohen qendrave të votimit nga mesi i dhjetorit. Shkrirja e parlamentit ishte njoftuar më herët në dhomën e ulët nga kryetari Bunmei Ibuki.

Legjislatura japoneze, e njohur ndryshe si “Kuvendi Kombëtar”, përfshin Dhomën e lartë të Këshilltarëve dhe atë të ulët të Përfaqësuesve.

Kryeministri Abe pritet të mbajë një konferencë për shtyp më vonë gjatë së premtes. Ai deklaroi të enjten se do ta përdorë fushatën elektorale për të sqaruar strategjinë e rritjes ekonomike të qeverisë së tij, raportoi transmetuesi kombëtar NHK.

Ndërsa agjencia e lajmeve “Kyodo” njoftoi në edicionin e djeshëm se rreth 63 për qind e banorëve nuk i kuptojnë arsyet e vendimit të zotit Abe për të shkuar në zgjedhje.

Një sondazh i kryer veçmas nga gazeta “Asahi Shimbun” zbuloi se vetëm 39 për qind e votuesve mbështesin zotin Abe.

Megjithatë, pavarësisht rënies së popullaritetit, zoti Abe dhe Partia e tij Liberal Demokrate pritet të fitojnë zgjedhjet për shkak të pozitës së dobët të opozitës.

Abe ka deklaruar se do të japë dorëheqjen nëse koalicioni i tij, që gëzon shumicën në dhomën e ulët, nuk arrin të fitojë një mazhorancë të thjeshtë.

Top Channel