Fillimet e tij në muzikë i ka pasur në klarinetë, por shumë shpejt zbuloi se pasioni i tij do të ishte një tjetër instrument. Mjafton ta ndjekësh për pak minuta mbi skenë apo edhe në trasmetimet televizive, për të kuptuar menjëherë se Fulvio Albano, është i dashuruar me muzikën jazz dhe me një instrument të vetëm: saksofonin.

Fulvio Albano është saksofonist, kompozitor, njëherazi themelues dhe president i “Jazz Club Torino”. Pjesëmarrës në shumë festivale ndërkombëtare, ai ka drejtuar evente të muzikës jazz në Itali dhe në mbarë botën.

Ka bashkëpunuar me artistë ndërkombëtarë si Johnny Griffin, Tony Scott, Joe Henderson, Paolo Conte e shumë, e shumë të tjerë.

Për të, saksofoni përfaqëson një ikonë të lirisë së shprehjes individuale, që di të komunikojë dhe që afrohet me zërin e njeriut më shumë se çdo instrument tjetër.

Ai kërkon ta përhap këtë kulturë në Itali dhe përtej saj, pasi siç ka pohuar vetë artisti për media të ndryshme italiane, muzika përgjithësisht është penalizuar, ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës thuajse çdo shkollë e ka një orkestër. Kjo është arsyeja pse Fulvio Albano ka mbërritur në Tiranë, bashkë me saksofonin e tij, nga i cili e ndan vetëm gjumi.

Top Channel