ISIS, McCain: Strategjia e Obamës, si Vietnami

21/11/2014 00:00

Senatori amerikan John McCain deklaron se përshkallëzimi gradual në luftën kundër ISIS i kujton atij strategjinë e dështuar që i shkaktoi Shteteve të Bashkuara humbjen në Luftën e Vietnamit.

“Ajo që më shqetëson mua për këtë përshkallëzim gradual është fakti se është njësoj si humbja në Vietnam. Ky është një përshkallëzim gradual”, ka thënë McCain.

Senatori republikan i Arizonës ka qenë vetë në luftën në fjalë dhe ka qenë njëkohësisht i burgosur lufte për 5 vjet.

“Pa trupa në terren, Amerikës i është dashur të rrisë sigurinë përreth bazave tona gradualisht. Është e njëjta gjë që pamë edhe atje”, tha ai duke iu referuar Vietnamit.

Kur republikanët të marrin nën kontroll Senatin janarin e vitit të aradhshëm, McCain do të bëhet kryetar i Komitetit të Forcave të Armatosura. Prej kohësh ai është angazhuar se do të thërrasë presidentin Obama që të përgjigjet për politikën e tij të jashtme.

“Unë jam shumë i ndjeshëm sa i takon rolit të presidentit si komandant i përgjithshëm. Por në të njëjtën kohë është përgjegjësia e Kongresit që të kërkojë që një politikë koherente dhe produktive të jetë pjesë e qasjes së administratës ndaj sfidës së madhe të ekstremizmit islamik”, deklaroi McCain.

“Në këtë moment, unë nuk njoh asnjë që të mendojë se kjo administratë ka një strategji për të arritur objektivin e presidentit për dobësimin dhe më pas mposhtjen e ISIS-it”, shtoi senatori.

Sipas tij, nevojat jetike në luftën kundër ISIS janë ngritja e një zone ndalim fluturimi në Siri, rritja e numrit të trupave në terren dhe furnizimi direkt me armë i forcave kurde, të njohur si Peshmerga, që po luftojnë në vijat e frontit.
 

Top Channel