Policia greke ka nisur një hetim të gjerë mbi trafikimin e dyshuar të armëve nga Shqipëria në Siri.

Ky hetim ka filluar menjëherë pas publikimit në shtypin shqiptar të lajmit për arrestimin të premten e kaluar të tetë personave në Shijak, nën akuzën e trafikimit të një sasie armësh e municionesh dhe shpalljes në kërkim të katër të tjerëve.

Organet greke ju referohen burimeve policore nga Tirana, sipas të cilave ky grup kriminal dyshohet se mund të këtë trafikuar armë dhe municione luftarake me destinacion Sirinë nëpërmjet Greqisë, për luftëtarët e ISIS.

Lajmin e publikon e përditshmja greke “Kathimerini”, e cila thekson se ka kërkuar më shumë informacione nga zëdhënësi i policisë shqiptare në Tiranë sa i  përket sekuestrimit të këtij arsenali të madh armësh dhe municionesh, si dhe ecurisë së hetimeve që do të zbulojnë origjinën e këtyre armëve, si dhe përfshirjen e personave të tjerë në këtë rrjet trafiku ndërkombëtar.

Duke iu referuar emrave të të arrestuarve, organet greke theksojnë se njëri prej pjesëtarëve të këtij rrjeti, Çlirim Xhaja, është arrestuar dhe dënuar në Greqi për pjesëmarrje në një vjedhje të armatosur.

Sipas “Kathimerini”, dy nga katër personat e tjerë që kërkohen për t’u arrestuar janë zyrtarë të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë. Njeri prej tyre, me inicialet H.M ,52 vjeç, furnizonte rrjetin e trafikantëve me municione që vidhte nga depot e policisë.

Për hollësitë e çështjes, komenton gazeta, informohet çdo ditë zyra përkatëse e Ambasadës Greke në Tiranë, ndërsa zhvillimet po i ndjek hap pas hapi edhe shërbimi i sapoformuar i Drejtorisë së Informacionit brenda policisë greke.

Top Channel