Pas dronëve, dorëzimit të porosive me taksi, celularëve 3D, Amazon ka ndërmarrë një tjetër sfidë që pritet të bëjë më të ashpër konkurrencën online.

Sipas informacioneve të pakonfirmuara të mediave amerikane, në vitin 2015 faqja e internetit do të lançojë një shërbim për prenotimin e hoteleve, duke sfiduar kështu faqet e mirënjohura Booking dhe Expedia.

Si fillim kompania e themeluar nga Jeff Bezos do të ofrojë shërbimin e saj për të prenotuar hotele dhe resorte të pavarura që ndodhen pranë metropoleve kryesore amerikane si Nju Jork, Los Anxheles dhe Siatëll.

Amazon Travel, siç pritet të quhet shërbimi, do të mund të realizojë në fillimet e tij vetëm prenotimin e hoteleve dhe jo ato të udhëtimeve ajrore.

Lajmi për këtë opsion të ri të kolosit të tregtisë elektronike ka nisur të qarkullojë në media pasi dy hotele të pavarura shprehën dëshirën të regjistroheshin.

Top Channel