Gorbatchev: Putin shpëtoi Rusinë, por…

21/11/2014 00:00

Presidenti i fundit i Bashkimit Sovietik, Mikhail Gorbatchev ka lavdëruar rolin stabilizues të presidentit aktual të Rusisë, Vladimir Putin gjatë periudhës post-Ieltsin, si dhe aneksimin prej tij të Krimesë.

Por nga ana tjetër i ka sugjeruar atij që të mos përsërisë gabimin që dikur bëri ai vetë: “sigurinë e tepërt në vetëvete”.

“Putin ka luajtur një rol të madh në stabilizimin e situatës post-Ieltsin, kur në lojë ishte shpëtimi i Rusisë nga shpërbërja”, ka deklaruar Gorbatchev gjatë prezantimit të librit të tij të fundit “Pas Kremlinit”, në librarinë Moskva që ishte tejmbushur.

“Pavarësisht përdorimit të metodave autoritare, objektivi i Putin ka përmbushur interesat e shumicës”, ka vijuar Gorbatchev, i cili ka thënë edhe kritikën.

“Kemi një president ekspert, por duket se vuan nga e njëjta sëmundje nga e cila vuaja dhe unë në kohën e perestrojkës: siguria e tepërt në vetëvete”, ka nënvizuar ish-presidenti i BS.

“Na dukej sikur kishim kapur Zotin nga mjekra”, ka vijuar fituesi i çmimit Nobël për Paqen duke kujtuar epokën kur ishte ende në krye të shtetit por që më pas u rrëzua. Gjithashtu, ai ka kritikuar edhe aspekte të tjera të Rusisë së sotme për shkak të rritjes së metodave autoritare.

“Kur një shtet është i fortë, aq më shumë është demokratik. Një shtet i fortë nuk i dëbon njerëzit që zbresin në sheshe për të shprehur mendimin e tyre dhe nuk infiltron provokues mes manifestuesve. Kjo është një shenjë dobësie”, ka thënë Gorbatchev.

Top Channel