Raportet e “ngrira” Turqi-SHBA

21/11/2014 00:00

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, udhëton drejt Ankarasë për një vizitë të përshkruar nga mediat e huaja si përpjekje për të ndrequr marrëdhëniet me Turqinë.

Atmosfera mes dy vendeve është tensionuar pas mosmarrëvëshjeve të hapura mbi konfliktin në Siri. Biden njihet si politikan i drejtpërdrejtë dhe Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, në shumicën e rasteve është mjaft i ndjeshëm ndaj kritikave, ndaj pritet të shihet se çfarë do të prodhojë ky takim.

Dallimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë janë shtuar, jo vetëm përsa i takon ISIS-it, por edhe për çështje të tjera si Qiproja apo rezervat e gazit dhe naftës në Mesdhe.

Situata e krijuar shtyn zyrtarë në Uashington ta vënë në pikëpyetje seriozitetin e Turqisë si aleate. Por Biden pritet të tentojë zbutjen e marrëdhënieve të ashpërsuara me vendin mik.

“Po shtrohen pyetje të shumta në këtë moment, përsa i takon besueshmërisë së Ankarasë si aleate e NATO-s. Me Erdoganin në krye të tij, shteti turk po i largohet gjithmonë e më shumë Perëndimit”, tha Dr. James Ker-Lindsay, specialist i rajonit në “London School of Economics”.

Dallimet mbi rrugët që duhen ndjekur për frenimin e ekstremizmit islamik e kanë parë Turqinë t’i refuzojë Amerikës qasjen në bazat e saj ushtarake, nga ku të ndërmerreshin sulme kundër ISIS-it.

Ankaraja këmbëngul se beteja mund të fitohet vetëm me rrëzimin e Bashar al-Assadit nga pushteti, e ky qëndrim i saj i ka shtuar edhe më shumë tensionet. Kërkesat e vazhdueshme të Turqisë, për një zonë ndalim-fluturimi në veri të Sirisë, janë hedhur poshtë, ndërsa vendi që dikur konsiderohej një shtet musliman model, tani gjithmonë e më shumë po shihet me dyshim.

Erdogani, sipas ekspertëve, ndjek me kokëfortësi axhendën e vet. Ai është kthyer në një aktor të pavarur në politikën e jashtme. Kjo dhe fakti, që e ka forcuar karakterin autoritar të sundimit të tij, kanë bërë që udhëheqësi turk të perceptohet nga Amerika si acarues e i paparashikueshëm.

Top Channel