Kombëtarja shqiptare rrit aksionet

21/11/2014 00:00

Paraqitjet e mira të kombëtares shqiptare, nën drejtimin e De Biasit, kanë marrë nota pozitive edhe nga ish-drejtuesi i Juventusit, Luciano Moggi.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shqip”, një nga protagonistët kryesorë të “Calciopoli”-t në Itali ka folur me superlativa për disa nga lojtarët tanë kuqezi, madje – sipas tij – ata mund të luajnë në çdo skuadër në Serie A.

“Mendoj se futbolli në Shqipëri është rritur shumë. Ndaj Italisë ishin disa lojtarë shqiptarë, që bënë diferencën ndaj të tjerëve. Përveç Berishës, që tregoi se është një portier shumë i mirë, nuk e kuptoj përse nuk vjen në Itali një sulmues, që më duket se quhej Çikalleshi, apo një mesfushor si Kukeli. Këta lojtarë kanë cilësi dhe kanë treguar se janë shumë të mirë për të luajtur në kampionatet evropiane, ndoshta edhe në lartësinë e ndonjë skuadre të rëndësishme”, është shprehur Luciano Moggi.

Sipas Moggit, ardhja e De Biasit në krye të kuqezinjve ka bërë që kjo skuadër të mos nënvlerësohet më nga kundërshtarët, kushdo qofshin ata.

“Shqipëria është një skuadër, që duhet marrë në konsideratë. Natyrisht, ka lojtarë që duhet të mësojnë ende disa gjëra, por në thelb, mendoj se De Biasi ka bërë një punë të mirë, mbi të gjitha në kokën e lojtarëve, pastaj sa i përket impenjimit, në këtë aspekt nuk janë inferiorë ndaj askujt”, ka thënë Luciano Moggi.

Moggi përshëndeti dhe mijëra tifozët shqiptarë, të cilët mbushën stadiumin “Luigi Ferraris” dhe dolën në mbështetje të popullit të Xhenovas.

Ish-drejtuesi i Juventusit ka shkruar së fundmi edhe një libër, me titullin “Topin e sjell unë”, i cili do të botohet në shqip nga Shtëpia Botuese “Saras” dhe shumë shpejt do të prezantohet nga vetë ai në kryeqytetin shqiptar.

Intervistën e plotë të një prej figurave më të mëdha të futbollit italian do të keni mundësinë ta lexoni të shtunën në gazetën “Shqip”.

Top Channel