Masat e sigurisë për protestën e opozitës

21/11/2014 00:00

Policia e Shtetit publikoi masat që do të merren ditën e shtunë për të
garantuar sigurinë në protestën e thërritur nga Partia Demokratike.

Në një njoftim për mediat, Drejtoria e Policisë së Tiranës thotë se duke filluar nga ora 10:00 nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në sheshin “Skënderbej”, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në sheshin “Nënë Tereza”.

Një orë pas këtyre masave, do të ndalohet qarkullimi në të gjitha këto zona të lartpërmendura, shto këtu edhe sheshin “Italia”.

Në njoftim Policia e Shtetit shprehet se është e përgatitur për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.

 Protesta e opozitës në kryeqytet mbërrin pas një turi takimesh nëpër rrethe të kreut të PD-së, Lulzim Basha ku ftoi qytetarët që të mblidhen në Tiranë për të protestuar kundër asaj që demokratët e quajnë “krizë të thellë ekonomike dhe sociale drejt së cilës po shkon vendi”.

Top Channel