Arrestohen 4 palestinezë, planifikuan atentat kundër Lieberman

21/11/2014 00:00

Katër palestinezë u arrestuan me akuzën e organizimit të një atentati të
mbetur në tentativë kundër Ministrit të Jashtëm, Avigdor Lieberman.

Sipas autoriteteve izraelite sulmi ndaj kryediplomatit të Tel Avivit do të ndërmerrej me granata-hedhës.

Agjencia e sigurisë, Shin Bet, e cila merret me sigurinë e brendshme të Izraelit, tha se grupi i palestinezëve synonte të vinte në plan sulmin gjatë konfliktit në Rripin e Gazës në korrik dhe gusht.

Autoritetet izraelite thonë se të katër personat e arrestuar i përkasin Hamas-it, që drejton Rripin e Gazës, por vetë organizata palestineze, e cilësuar si terroriste prej Tel Avivit deklaroi “se nuk ka asnjë informacion për çështjen në fjalë”.

Konflikti në Gaza që zgjati 50 ditë përfundoi me një marrëveshje armëpushimi të arritur mes dy palëve duke lënë pas mbi 2100 palestinezë të vrarë, pjesa më e madhe civilë dhe 67 ushtarë e 6 civilë izraelitë.

Sipas Shin Bet, grupi mbante nën vëzhgim prej kohësh itineraret e Ministrit të Jashtëm dhe planifikonte kryerjen e sulmit pranë banesës së tij, në Bregun Perëndimor.

Tre prej të arrestuarve, sipas agjencisë izraelite, Ibrahim Salim Mahmoud al-Zir, Ziad Zalim Mahmoud al-Zir dhe Adnan Amin Mahmoud Sabih kanë lidhje gjaku me njëri-tjetrin.

Plani i grupit nuk u realizua, ndërkohë që pas hetimeve ata u arrestuan vetëm dy javë më parë. Sipas autoriteteve izraelite, të arrestuarit shpresonin që me vrasjen e Lieberman t’i dërgonin një mesazh Izraelit për të ndalur ofensivën në Rripin e Gazas.

Informacioni për këtë grup mbërrin në një kohë kur tensionet mes Izraelit dhe Palestinës janë sërish të tendosura dhe këtë herë jo më në Rripin e Gazas, por në pjesën lindore të Jeruzalemit ku incidentet kanë shkaktuar të paktën 12 persona të vrarë në vetëm 1 javë.

Top Channel