Gjermania: Debati bëhet në Parlament

21/11/2014 00:00

Megjithë rezolutën e Partive të Djathta Europiane për opozitën shqiptare, është shteti kryesor i Bashkimit Europian që nuk mbështet bojkotin parlamentar.

Ministri gjerman për Çështjet Europiane deklaroi në Tiranë se debatet mes palëve duhet të bëhen brenda parlamentit, gjë që ai e tha qartë, përkundër datës së hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE.

“Se kur mund të vendoset për hapjen e bisedimeve për anëtarësim këtë nuk mund t’ua them sot fatkeqësisht . Vendimtar për nisjen e tyre është përparimi konkret i Shqipërisë në zbatimin e  mëtejshem të reformave sidomos në fushën e shtetit ligjor. Këto reforma janë në fund të fundit në interesin e Shqipërisë, pra Shqipëria e ka vet në dorë që të përcaktojë tempin e procesit të përafrimit me BE. Këto janë projekte të mëdha të cilat kanë nevojë për mbështetje të madhe. Punoni të gjithë së bashku. Dihet që një rrugë e vështirë mund të përballohet duke bashkuar forcat. Kur bëhet fjalë për të përcaktuar kursin e zhvillimit të vendit është e domosdoshme të bashkëpunohet në mënyre konstruktive dhe të ndershme me kundërshtarin politik dhe debatet janë pjesë e jetës parlamentare dhe jo jashtë tij”, deklaroi Michael Roth.

Ministri gjerman ka mbërritur në Tiranë i ftuar nga Ministria e Jashtme në aktivitetin për 25-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, një ngjarje që bashkoi jo vetëm Gjermaninë, por shënoi edhe fillimin e asaj që prej tij u cilësua si fillimi i përhapjes së valëve të lirisë në të gjithë Europën.

Por pavarësisht ambicjes dhe përparimeve, Europa nuk është ende e bashkuar. Ballkani Perëndimor është ende jashtë projektit të madh të Europës së Bashkuar, e për këtë ministri gjerman ka një sugjerim që ua adreson politikanëve të këtij rajoni; të punojnë për qytetarët e tyre dhe mbështetja e Gjermanisë siguroi ai, është e plotë

“Edhe pse s’na ndan Muri i Berlinit, duhet të shemben muret në mendjet tona për të mos krijuar kufij të rinj. Le të punojmë së bashku!”, u shpreh Michael Roth.

Shefi i diplomacisë sonë, që morri nga ministri i kabinetit të Angela Merkel qëndrimin e BE-së  se Shqipëria është një partner i besueshëm në çështjet e politikës së jashtme, mesazhin e dha përmes pyetjes shtruar për ministrin gjerman.

“Që Europa të jetë e bashkuar nuk mjafton vetëm zhdukja e kufijve, por është e domosdoshme shembja e mureve të panatyrshëm. Ne shqiptarët kemi arritur ta lexojmë murin drejt. Është kjo që na shtyn të vijojmë në rrugën tonë drejt Bashkimit Europian. Dhe jemi të ndërgjegjshëm që ende pas 25 vjetësh kemi shumë për të bërë që ta shembim murin tonë ndarës nga Evropa. Dhe mbi këtë pikë dëshiroj ta mbyll duke hapur mbase një dialog me Ministrin Roth. Jam kurioz të di se si e shihni Ju arkitekturën aktuale të sigurisë në Evropë? Si e vlerësoni Ballkanin nga ky aspekt – si një pjesë e Evropës që ka arritur pikën e moskthimit? Apo si një hapësirë ku politika e jashtme e sferës së influences, mund të jetë në veprim nga aktorë të tretë?”, deklaroi Ministri Bushati.

Rënia e Murit të Berlinit, që u përcoll në këtë aktivitet edhe përmes rikujtimit filmik, për Gjermaninë, tha ministri i këtij vendi, ka nxjerrë mesazhin që mbetet aktual dhe kapërcen kufijtë e këtij shteti: qytetarët nuk janë robër të shtetit të tyre, por shtylla e shtetit.

Top Channel