Biden, mbështetje Ukrainës, denoncon Putinin

21/11/2014 00:00

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, dënoi si “të papranueshme” sjelljen e Rusisë ndaj Ukrainës, gjatë vizitës së tij këtë të premte në Kiev, si dhe nxiti Moskën të veprojë në përputhje me marrëveshjen e paqes së 5 shtatorit, duke nxjerrë forcat ushtarake të saj jashtë Ukrainës.

Duke iu referuar Presidentit rus, Vladimir Putin, në mënyrë retorike, pas bisedimeve të mbajtura me Presidentin ukrainas Petro Poroshenko, Biden tha: “Bëj çfarë ke rënë dakord të bësh, Putin”.

Vizita e nivelit të lartë mes SHBA-ve dhe Kievit vjen në një moment kur kanë ngecur të gjitha përpjekjet për të respektuar sërish marrëveshjen e paqes të nënshkruar nga Ukraina, Rusia dhe separatistët prorusë, që luftojnë në lindje të Ukrainës.

Ukraina dhe fuqitë perëndimore akuzojnë Rusinë se ka mbështetur separatistët duke dërguar atje armatime dhe forca ushtarake, një akuzë që Moska e mohon. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën se kanë shkelur armëpushimin, ndërsa Ukraina bëri të ditur këtë të premte se territori i saj është gjuajtur me artileri të rëndë nga përtej kufirit, pra nga Rusia, për herë të parë që pasi marrëveshja e armëpushimit kishte hyrë në fuqi.

Vizita e Biden në Kiev erdhi në përvjetorin e parë të vendimit qeveritar të ish-Presidentit Viktor Yanukovych, për të braktisur një pakt politik dhe tregtar me BE-në, në favor të rinovimit të marrëdhënieve me Rusinë.

Lëvizja në fjalë solli edhe protestat e dhjetra-mijëra ukrainasve, të cilat çuan në rrëzimin e ish-Presidentit të mbështetur nga Moska. Kjo solli gjithashtu edhe konfrontimin më të madh mes Rusisë dhe Perëndimit që prej Luftës së Ftohtë, për shkak se Rusia aneksoi Krimenë në mars, si dhe nisi mbështetjen e separatistëve në lindje.

Tensionet kanë shpërthyer sërish mes shoqërisë ukrainase, kur këtë të premte Poroshenko doli t’i nderonte 100 apo më shumë protestuesit që u vranë në shkurt nga snajperat e policisë, përpara se Yanukovych të largohej nga vendi. Të afërm të viktimave protestuan për dështimin e qeverisë për të çuar para gjyqit qeverinë e Yanukovych, duke thirrur “ku janë vrasësit?” dhe “të largohet Poroshenko!”.

Ata e sulmuan gjithashtu Presidentin aktual, i cili nuk ka mbajtur premtimin për t’iu akorduar titullin e “Heroit kombëtar” viktimave, gjë që do të sillte përfitime financiare ndaj familjeve të të vrarëve. Por, Poroshenko u rikthye sërish në skenën e ngjarjeve, për t’u angazhuar sërish se do të nënshkruante një dekret për t’i shpallur ata “heronj kombëtarë”.

Biden, i cili u shfaq në krah të Poroshenkos, tha se aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe mbështetja për separatistët përfaqëson “një shkelje flagrante të parimeve themeltare të sistemit ndërkombëtar”.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin gjithmonë një Ukrainë demokratike, reformiste, por nuk përmendi asgjë mbi ndihma të reja ushtarake, për të cilat Kievi ka kohë që bën apel. Në deklaratën e zyrës së Biden thuhej se, në pritje të miratimit nga Kongresi, Shtëpia e BArdhë do të japë 20 milionë dollarë në mbështetje të reformimit të agjencive të zbatimit të ligjit dhe të sistemit të drejtësisë së Ukrainës.

Top Channel