Bayern Munchen, rikthehet Schweinsteiger

21/11/2014 00:00

Trajneri i Bayern Munchen, Pep Guardiola, ka bërë të ditur se kapiteni i Gjermanisë, Bastian Schweinsteiger, pritet të luajë ndeshjen e tij të parë në Bundesliga, që prej finales së Botërorit për Klube.

Schweini, i cili ndeshjen e fundit të luajtur e regjistron në finalen e fituar në kohët shtesë nga Gjermania përballë Argjentinës, në “Maracana” të Rio de Janeiros, duhet të luajë të paktën 45 minuta në ndeshjen e kësaj fundjave ndaj Hoffenheimit.

“Bastian është grumbulluar dhe është në dispozicionin tonë”, tha Guardiola. “Ky është një lajm i mirë, ai është rikthyer dhe është një lojtar më shumë për ekipin”.

Schweinsteiger, 30 vjeç, ka qenë jashtë fushave të blerta për 132 ditë pas një dëmtimi në kavilje, e më pas prej një tjetër dëmtimi në ligamentet e gjurit.

Ndeshja në “Allianz Arena” është e fundit e Bayernit përpara se të përballet me Manchester Cityn në transfertë, të martën, takim i vlefshëm për Champions League, por gjermanët tashmë e kanë siguruar kalimin në fazën e 1/8-ave.

Guardiola paralajmëroi se Schweini “ende nuk është në 100% të formës së tij, teksa do t’i duhet kohë të kapë nivelin e treguar përpara dy dëmtimeve të njëpasnjëshme”.

“Nuk e di nëse ai do të luajë nga fillimi, por ne kemi shumë dëmtime veçanërisht në mesfushë”, tha Guardiola.

Rikthimi i kapitenit gjerman është një lajm i mirëpritur nga të gjithë, pasi Bayerni humbi shërbimet e Philipp Lahm të mërkurën, i cili do të mungojë për 3 muaj pas një dëmtimi në kavilje.

Top Channel