“Mbreti” Obama vs “i dështuari” Bush

21/11/2014 00:00

Kur George W. Bush nuk mundi të kalonte një projektligj për emigracionin përmes Senatit, ai u tërhoq. Kur Barack Obama nuk mundi të bënte të njëjtën gjë përmes Dhomës së Përfaqësuesve, ai ndryshoi rregullat.

Rishkrimi i sistemit të emigracionit ishte në thelb të politikës “së mëshirshme konservatore” të Bushit dhe ishte aq shumë i dashur prej tij. “Nuk ia dola mbanë”, tha Bushi me një ndienjë shfryrjeje, një ditë qershori 7 vjet më parë, kur përpjekja për një reformë gjithëpërfshirëse ngeci në “Capitol Hill”.

I përballur me dështimin, ai kërkoi nga ekipi i tij nëse mund ta ndryshonte sistemin e emigracionit me fuqitë e veta ekzekutive, por konkluzioni ishte se nuk mundej. Ndaj Bush, një president që ndërmori një luftë ndaj terrorit me një interpretim më të zgjeruar të fuqive ekzekutive, ndërroi rrugë për të bërë të tjera gjëra gjatë 18 muajve të fundit në krye të shtetit.

Ndërsa Obama refuzoi të pranojë të njëjtin fat.

Në momentin kur reforma për emigracionin ngeci në Kongres, këtë vit, Obama – ashtu sikurse Bush – u kërkoi këshilltarëve të tij nëse mund ta ndryshonte sistemin me pushtetin e tij. Ekipi aktual i Shtëpisë së Bardhë arriti një një konkluzion të ndryshëm nga ai i administratës “Bush”.

Kështu, më shumë se 500 ditë që kur Senati kaloi projektligjin bipartizan të emigracionit, Obama bëri të ditur planin e tij për të ecur përpara i vetëm. Në adresimin përpara popullit të tij, ai njoftoi se do të ushtronte fuqitë e tij për të rregulluar sistemin sa më mirë të mundej, duke mbrojtur përkohësisht 5 milionë njerëz nga kërcënimi i deportimit nga SHBA.

Ai tha se nuk kishte zgjidhje tjetër, veçse të vijonte në këtë rrugë, pavarësisht pretendimeve irrituese të republikanëve se ai po shkatërron Kushtetutën dhe po sillet më shumë si një mbret, se sa një President i dobësuar dhe i rrethuar nga një Kongres “armiqësor”.

“Për ata kongresmenë, të cilët vënë në diskutim autoritetin tim për ta bërë sistemin e emigracionit të funksionojë më mirë, apo që vënë në dyshim diturinë time për të vepruar aty ku Kongresi dështon të veprojë, unë kam një përgjigje: Ta kaloj projektligjin”, tha Obama.

Presidenti planifikon t’u ofrojë shpëtim të përkohshëm nga deportimi prindërve të shtetasve amerikanë dhe rezidentëve të përhershëm, të cilët kanë qenë në SHBA prej më shumë se 5 vitesh. Ai do të zgjerojë gjithashtu një program, i cili u lejon aktualisht emigrantëve pa dokumente, të cilët kanë ardhur si fëmijë në SHBA, për të qëndruar aty.

Masat janë shumë pranë atij “rregullimi” të pretenduar apo që shpresonte Obama ta arrinte përmes një ligji gjithëpërfshirës emigracioni. Ndërkaq, për sa kohë që ai u detyrua të vepronte përmes një urdhri ekzekutiv, lëvizja e tij mund të sfumohet sërish me “një të rënë lapsi” nga një President i ardhshëm.

Megjithatë, është mëse e qartë se Obama është i motivuar me këtë “përmirësim” të sistemit të prishur të emigracionit. Në vetëm 2 javë, pasi republikanët siguruan fitoren gjatë zgjedhjeve të mesmandatit, gjë që shumë analistë e konsideruan si një “goditje ballore” ndaj presidencës Obama, ky i fundit po punon me një shpejtësi të llahtarshme. Një president i zgjedhur dy herë, për shkak të rrymës së ndryshimit të sjellë prej tij, nuk do të thotë që duhet të tërhiqet vetëm nga fakti që Kongresi kërkon të dalë kundër tij.

Top Channel