Takim polici-prokurori larg mediave

21/11/2014 00:00

Krerët e policisë nëpër Qarqe, së bashku me Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri kanë vijuar një mbledhje tjetër me dyer të mbyllura në Prokurorinë e Përgjithshme në prani edhe të kryeprokurorit Adriatik Llalla, si edhe të krerëve të prokurorive të rretheve dhe atij të Krimeve të Rënda.

Takimi ka zgjatur një orë, gjatë së cilës, sic thonë burimet, është diskutuar për çështje konkrete, sikurse janë mënyrat që duhen ndjekur për hetime sa më efikase të ngjarjeve kriminale. Një ndër to është edhe ngritja e problemit për përsosjen e metodave speciale të hetimit, një mënyrë kjo e përdorur shpesh në operacionet e fundit. Ky shqetësim është ngritur nga policia, që kërkon më shumë kontroll dhe survejim për personat që hetohen për ngjarje kriminale.

Duke qenë se shpesh është ngritur shqetësimi i mungesës së prokurorëve në vendngjarje, çka ja lë të gjithë barrën policisë për veprimet e para hetimore, në përfundim të këtij takimi u vendos që në rast të mungesës së prokurorëve të gatshëm në vendngjarje të njoftohet Prokurori i Rrethit përkatës për këtë situatë, që do të thotë se të dyja institucionet në luftën ndaj krimit duket se e konceptojnë tashmë vendngjarjen si një çështje që i përket një ekipi hetimor, dhe jo sikurse procedohet shpesh, kur policia bën veprimet paraprake dhe më tej dosja i përcillet prokurorisë.

Burimet thanë se në fjalën e tij Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka kërkuar që çdo muaj të ketë një takim të ngjashëm mes strukturave qendrore dhe lokale për të gjetur problemet për çështjet konkrete.

Me Ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, ka thënë Prokurori i Përgjithshëm, kemi diskutuar shpesh për problemet që ndeshen në nivelin bazë, të cilat kanë nevojë për orientim nga strukturat qendrore.

Policia në disa raste ngre shqetësimin që jo në çdo rast u delegohen për hetim çeshtje që referohen nga strukturat e tyre, ndërkohë që prokurorët thonë se ka lëvizje të shpeshta të oficerëve të Policisë Gjyqësore të ngarkuar me hetimin e rasteve të ndryshme, gjë që ndikon në cilësinë e veprimeve hetimore.

Në fakt shqetësimi i  mos delegimit të urdhërave nga prokruoria tek oficerët është përmendur sërish në këtë takim edhe nga Drejtori i Përgjithshëm, Artan Didi, ndërsa Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka kujtuar se së shpejti priten hapa konkretë për ngritjen e Byrosë Federale të Hetimit.

Dy personat që do të jenë koordinatorë të punës polici-prokurori do të vijojnë të jenë zv.Drejtori i Përgjithshëm Haki Cako dhe Drejtori për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prokurori të Përgjithshme, Adnan Xholi.

Top Channel