Qeverisja Thaçi-Mustafa

22/11/2014 00:00

“Shpreh bindjen se një qeverisje e qëndrueshme mes të panatyrshmes është e pamundur. Ky është një koalicion i panatyrshëm dhe si i tillë besoj se nuk do ta përfundojë të gjithë mandatin”, kështu është shprehur në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” analisti Lumir Abdixhiku në lidhje me marrëveshjen mes PDK dhe LDK në Kosovë.

Ndërsa për kryeministrin e ri, zoti Abdixhiku është shprehur se me shumë mundësi ai do të jetë nga radhët e LDK, por nuk e përjashtoi mundësinë e një kandidati të tretë, sërish nga LDK.

Pandi Gjata: Si e keni parë marrëveshjen për koalicionin e ri PDK-LDK, e cila u arrit në pak orë, por në fakt pasoi një krizë gati 6 mujore në Kosovë?

Lumir Abdixhiku: Është një relacion i çuditshëm në mes të befasisë dhe dëshpërimit. Për 6 muaj rresht kishim një aleancë opozitare që forconte bindjet parazgjedhore se nuk do të ketë koalicion me PDK-në dhe me një shpejtësi të papritur kaluam në një situatë statike në një dinamizëm të paparashikueshëm. Kam përshtypjen se është zgjedhur alternativa më pak e mirë për Kosovën, pasi e tillë është cilësuar nga vetë protagonistët e saj. Të mos harrojmë se bëhet fjalë për bashkimin e dy partive më të mëdha, të cilat e kanë parë njëra tjetrën si plotësuese dhe jo si zëvendësuese. Në Kosovë nuk ka ndonjë entuziazëm të madh pas kësaj marrëveshje, e cila mendoj se nuk do të jetë e qëndrueshme dhe nuk do të sjellë ndonjë risi.

Pandi Gjata: A mendoni se do të merren vesh Thaçi dhe Mustafa për këtë bashkëqeverisje, për të cilën sapo kanë rënë dakord?

Lumir Abdixhiku: Marrëdhëniet mes PDK-LDK kanë qenë të tensionuara që prej përfundimit të luftës. Shpeshherë bashkëqeverisja e tyre kanë qenë e diktuar nga ndërhyrjet e ndërkombëtarëve. Ka pasur tension midis dy liderëve dhe deklarata nga LDK-ja se situata më e keqe për Kosovën do të ishte një bashkim me PDK. Në këtë befasi dyshoj se do të ketë një qeverisje të qëndrueshme mes njerëzve që deri vonë kanë qene rival. Kosova do të gjendet shumë shpejt para disa sfidave të dirigjuara  nga komuniteti ndërkombëtar që kërkojnë zgjidhje dhe ndoshta dy palët nuk do të kenë kohë të merren shumë njëra me tjetrën. Shpreh bindjen se një qeverisje e qëndrueshme mes të panatyrshmes është e pamundur. Ky është një koalicion i panatyrshëm dhe si i tillë besoj se nuk do të përfundojë të gjithë mandatin.

Pandi Gjata: Edhe pse garant janë ndërkombëtarët, ju besoni se kjo qeverisje nuk do ta përfundojë mandatin?

Lumir Abdixhiku: Sot kishim një deklaratë të ambasadores amerikane, e cila thoshte se nuk ka asnjë garanci në marrëveshjen e nënshkruar mes dy palëve, ajo ka qenë e ftuar si mysafire nga presidentja. Nga kjo deklaratë duket se komuniteti ndërkombëtar nuk ka ndërhyrë, pasi ata thanë se kana qenë vetëm vëzhgues dhe për ta nuk ka shumë rëndësi përbërja e koalicionit sesa mungesa e një qeverie. Të mos harrojmë se Kosova ka nevojë për qeverisje të shpejtë, por përbërja e kësaj qeverisje nuk është zgjedhur nga komuniteti ndërkombëtar.

Pandi Gjata: Kë shikoni kryeministër Thaçin apo Mustafën?

Lumir Abdixhiku: Mundësitë më të mëdha janë që të jetë kryeministër zoti Mustafa, por nuk e përjashtoj mundësinë të kemi një kandidat të tretë. Të mos harrojmë se në këtë relacion të partive është edhe kryetari i parlamentit dhe posti i presidentit, i cili do të mbetet vakant në vitin 2016. Kushdo që do të marrë postin e kryeministrit do të heqë dorë nga kryeparlametari dhe presidenti. Në këtë situatë, shoh më shumë që kryeministri do të jetë nga radhët e LDK, por nuk e përjashtoj mundësinë që të kemi një kandidat të tretë nga LDK-ja, për shkak të insistimit të vazhdueshëm nga PDK-ja për të mos i lënë mundësi rivalit kryesor që të ketë postin e kryeministrit.

Pandi Gjata: A i preu në besë Mustafa ish-partnerët e koalicionit paszgjedhor dhe a do të jetë një skenë e nxehtë në Parlamentin e Kosovës?

Lumir Abdixhiku: Të paktën kështu janë shprehur liderët e partive opozitare, të cilët deri dy ditë më parë ishin pjesë e koalicionit paszgjedhor. Ata ndjehen të tradhtuar sepse kanë pasur një marrëveshje, por duhet pasur parasysh se ka pasur kontradikta edhe brenda koalicionit pas zgjedhor. Në radhë të parë insistimi i AAK për të pasur postin e kryeministrit me vetëm 9 përqind të votave nuk ka qenë i arsyeshëm, megjithatë ka pasur alternativa brenda bllokut. Nuk besoj se do të ketë fare opozitë në parlament. Të mos harrojmë që po flasim për një shumicë kushtetuese. Opozita nuk do të ketë as 40 vota për të bërë një mocion dhe për më tepër është e ndarë në tre parti politike. VV ka pikëpamje krejtësisht të kundërta nga AAK dhe Nisma.

Top Channel