Ban Ki-moon: Lufta ndaj Ebolas përfundon në 2015

22/11/2014 00:00

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon është shprehur se situata e rëndë e shkaktuar nga virusi vdekjeprurës i Ebolas në Afrikën Perëndimore mund të përfundojë në vitin 2015, nëse bota do të përshpejtojë reagimin e saj.

Por ai paralajmëroi se edhe pse rastet e reja janë gjithnjë e më të paktat në vendet e Afrikës Perëndimore, situata mbetet shqetësuese dhe duhet bërë kujdes, pasi në Mali janë shënuar 6 viktima gjatë ditëve të fundit.

Ban Ki-moon foli gjatë një takimi në Uashington me zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“Nëse ne vazhdojmë të përshpejtojmë reagimin tonë, atëherë sëmundja e rrezikshme mund të ndalet në mesin e vitit të ardhshëm”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i OKB.

Ai theksoi se numri i punonjësve të shëndetësisë në vendet e Afrikës Perëndimore duhet shtuar, pasi sëmundja nuk mund të quhet e mposhtur edhe nëse mbetet një rast i vetëm.

Ndërsa, Anthony Banbury, kreu i misionit të OKB-së që përpiqet të frenojë sëmundjen e rrezikshme, tha se bota është shumë larg nga mposhtja e virusit.

Guinea, Sierra Leone dhe Liberi janë goditur më keq nga shpërthimi i Ebolas. Më shumë se 5400 njerëz kanë vdekur vetëm në këto 3 shtete.

Top Channel