Forumi Urban në Lezhë

22/11/2014 00:00

Nga qyteti i Lezhës ku ishte i pranishëm në Forumin Urban, zëvendëskryeministri Niko Peleshi deklaroi se buxheti për vitin 2015 për rivitalizimin e qyteteve është 125 milionë dollarë.

“Kemi nisur bashkë me Bashkitë që po vizitojmë këtë cikël forumesh për të prezantuar këtë qasje që nuk është vetëm qasje parimesh apo vizioni, por edhe një program prej 125 milionë dollarësh për këtë vit. Cdo qytet i rëndësishëm i Shqipërisë sot duket si një kantier ndërtimi falë rreth 100 milionë dollarëve që ne investuam për t’i transformuar nga pikëpamja urbane”, theksoi zoti Peleshi.

Por, sipas zëvendëskryeministrit, qeveria nuk do të asistojë vetëm me fonde, por edhe me ndihmën e specialistëve.

“Nuk do i mbështesim vetëm me fonde, por edhe me kapacitete krijuese dhe planifikuese. Në vitin 2014 pamë që mungonte cilësia e projekteve. Duam që paratë e taksapaguesve shqiptarë të përdoren me eficencë sa më të lartë”, u shpreh zëvendëskryeministri.

Të pranishëm në këtë forum, veç kryetarit të Bashkisë së Lezhës ishin edhe përfaqësues së Forumit të Trashëgimisë Kulturore dhe drejtori i ALUIZNI-t.

Top Channel