Opozita proteston në bulevard, Basha: Rama dëgjo popullin

22/11/2014 00:00

Qetësisht, por vendosmërisht, opozita drejtoi me mijëra qytetarë në protestë përpara godinës së Këshillit të Ministrave. Protesta nuk kishte simbole të dukshme partiake, sepse për opoziten keqqeverisja ka prekur çdo qytetar, që e ka votuar ose jo koalicionin Rama-Meta.

“Jemi në këtë bulevard që t’i kujtojmë mashtrimin e tij dhe ta pyesim të bashkuar: pse nuk qeveris, në vend që të sundosh? Pse nuk dëgjon qytetarët, por i godet pas shpine? Mos luaj me durimin e popullit”, deklaroi kryetari i PD, Lulzim Basha në fjalimin e tij.

‘Pas shpine’ opozita quan rritjen e taksave, rritjen e çmimit të energjisë, prishjen e banesave të qytetarëve dhe çdo veprim që sipas saj çon vendin drejt varfërisë ekstreme dhe shtetit policor.

“I kërkoj solemnisht qeverisë Rama-Meta në emrin tuaj, mos e bëj më të vështirë jetën e shqiptarëve, mos e rrit çmimin e energjisë dhe taksat, mos i jep oligarkisë paratë që u merr qytetarëve”, apeloi Basha.

Kreu i opozitës dënoi qartë vjedhjen e energjisë dhe ndërtimet pa leje, por, po njësoj, dënoi edhe qëndrimet e kryeministrit Rama për kategorizimin që u bëri këto ditë protestuesve.

“Asgjë në këtë shesh, askush në Shqipëri nuk ka dalë dhe nuk del se është kundër detyrimeve ligjore apo se do të ndërtojë pa leje. Cinizmi i kryeministrit është ofendim për qytetarët. Dil nga bunkeri dhe dëgjoi qytetarët para se të jetë vonë”, paralajmëroi Basha shefin e qeverisë.

Në emër të qytetarëve, kryetari i Partisë Demokratike kërkoi nga qeveria as më shumë dhe as më pak mbajtjen e premtimeve elektorale.

“Ndaj i them Ramës dhe Metës, mbani detyrimin sipas kontratës: të hapni 300 mijë vende pune, të legalizoni falas shtëpitë, të ulni taksat dhe çmimin e energjisë, të siguroni shëndetësi falas. Kur nuk përmbush kontratën, jepet dorëheqja ose bie qeveria”, theksoi Basha.

Nëse kjo ndodh, opozita do të nisë protetstat për largimin e qeverisë. “Tërhiquni nga rruga e zullumit se ndryshe ju paralajmëroj në emër të të zhgënjyerve se ne do t’ju largojmë”, tha Basha.

Por çfarë vjen pas protestës së 22 nëntorit, pas të cilës rritet edhe përgjegjësia e opozitës për të mos lënë pa zgjidhje qytetarëve në protestë. Një axhendë konkrete ende nuk ka, por fryma e protestës ishte e qartë, pavarësisht zërit të ngjirur të kreut të opozitës.

“Mos kini shpresë se do të ndalemi, se do mposhtemi apo do lodhemi. Ne nuk do pushojmë së luftuari për të drejtat dhe liritë e shkelura të shqiptarëve. Këtu do të na keni derisa të plotësoni kushtet e vendosura”, tha Basha.

Nuk është hera e parë që zeri i kreut të opozitës shfaq një problem të tillë, të cilin kundërshtarët e komentojnë si mangësi në staturën e tij politike. Megjithatë, këtë herë Lulzim Basha jo vetëm u doli përpara komenteve, por me zë të qartë bëri një paralajmërim të fundit për kryeministrin Rama.

“Të mos të të gënjejë mendja se mund t’ia hedhësh duke u marr me zërin tim. Zëri im ikën, vjen, është zëri i popullit shqiptar. Dëgjojeni zërin e shqiptarëve sa nuk është vonë. As bunkeri i Enver Hoxhës nuk do t’ju mbrojë dot nga fuqia e bashkuar e shqiptarëve”, shtoi Basha.

Top Channel