Rama paralajmëron hapjen e dosjeve: Fshehin të vërteta të hidhura

22/11/2014 00:00

Për herë të parë, gati çerek shekulli pas rënies së komunizmit, në
Tiranë hapet bunkeri antibërthamor, që kishte ndërtuar qeveria komuniste
dhe ku do të strehohej udhëheqja e lartë në rast të një sulmi bërthamor
ndaj Shqipërisë.

Tuneli, që ndodhet në periferi të Tiranes, i njohur si ‘Objekti 0774’, me 106 zyra, eshte kompozuar ne formen e nje muzeu dhe eshte hapur këtë të shtunë për ta kthyer në një atraksion turistik dhe jo vetëm, ku ishin të pranishem edhe Kryeministri Rama, diplomatë dhe ministra. Objektet e gjetura janë përshtatur në një muze të titulluar “Bunk’Art”.

Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama fillimisht u ndal në rëndësinë që merr hapja e dyerve të këtij bunkeri.

“Sot ne jemi dëshmitarë se kemi çelur derën e një thesari të kujtesës sonë kolektive. Ne jemi këtu për të çelur në fazë të re, raportesh me të shkuarën, por jo për të rishkruar historinë, por për ta ekspozuar të shkuarën në të gjitha format që e disponojmë, si një mundësi për t’i vendosur përpara syve, gjeneratave të reja, por edhe të gjithë të tjerëve, dëshmitë e saj”, tha Kryeministri.

Në një kohë kur debatet mbeten të nxehta për procesin e nisur në rishkrimin e historisë, Rama dha këtë këndvështrim: “Shkrimi i historisë duhet t’i mbetet historianëve, përpjekjet për të rishkuar historinë me porosi qeveritare apo përmes vullnetit të hekurt politik, kanë qenë sa tragjike në të shkuarën e largët, aq qesharake në të shkuarën e afërt. Përpjekja për ta vetëpikturuar vetveten, në një kontekst të zgjedhur politikisht, ka rezultuar sa tragjike në të shkuarën, aq qesharake në të shkuarën e afërt”.

Nuk mbeti jashtë fjalës së Kryeministrit, Enver Hoxha dhe dosjet famëkeqe të përpiluara nga regjimi tij.

“Ne jemi ata që i kemi mbyllur hesapet me Enver Hoxhën në vitin 1990. Nuk kemi asnjë problem t’ia shikojmë nga të katër anët, këndet e vështrimit dhe bëmat. Ndërkohë ne jemi ata të do të çojmë përpara projektin e çlirimit të kësaj kujtese kolektive, nga këto makthe. Ruajtja e këtij misteri dhe e këtyre mistereve, ashtu si edhe ruajtja me fanatizëm e misterit të dosjeve të të shkuarës, dosjeve të Sigurimit të Shtetit, ku fshihen plot të vërteta të hidhura, janë në fakt vazhdimësua e të njëjtës shkollë, e shkollës së vjetër politike të të sunduarit mbi tjetrin, paavrësisht kostos”, tha Rama.

Rama i parapriu komenteve te mundshme nga opozita kur tha: “Dikush mund të dalë në Facebook dhe të thotë që ‘u mblodhën atje te parlamenti, ku do të detyrohen nga fuqia e protestës popullore, etj, etj’, por në fakt ajo që vlen të thuhet është se me siguri, një vizitë në këtë ngrehinë antiatomike, do t’ju tregojë vajzave dhe djemve të këtij vendi mbi diktaturën mbi Enver Hoxhën, mbi Mehmet Shehun, mbi të gjithë hordhitë antinjerëzore dhe antifetare”.

Përurimin e `Bunk`Art`, Rama e quajti si vetëm fillimin e intenerarit turistik duke paralajmëruar hapjen e dyrve të asaj që njihet si “Shtëpia e Gjetheve”, e cila shërbente si selia e përgjimeve nga Sigurimi i Shtetit.

Top Channel