Protesta, mijëra vetë në shesh, asnjë incident

22/11/2014 00:00

Me qindra vetë, mbështetës të Partisë Demokratike dhe qytetarë, të prekur nga aksionet e fundit të qeverisë për energjinë dhe ndërtimet pa leje, u nisën nga çdo rreth për t’iu bashkuar protestës në sheshin Skëndërbej dhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Që në orët e para të mëngjesit njerëz nga qytete të ndryshme si Shkodra, Lezha, Kukësi, Korça e të tjerë, u nisën drejt Tiranës, ku protestuesit, pjesë edhe të sindikatave të drejtuara nga Gëzim Kalaja, mbushën bulevardin përpara Kryeministrisë, ku kërkuan ulje të taksave, të çmimit të energjisë elektrike dhe papunësisë.

Turma u entuziazmua nga dalja në shesh e liderëve të Partisë Demokratike, të cilët u ndalën herë pas here nga protestuesit. Ndërkaq, në turmë u dalluan edhe deputetët e Partisë Demokratike, të pranishëm në protestë dhe të shpërndarë mes protestuesve.

Pavarësisht se e lajmëruar fort për më shumë se një javë dhe ndonëse si çdo manifestim rrethohej me pakëz tension, protesta e opozitës përundoi ashtu siç parashikohej nga të gjithë: e qetë dhe qytetare.

Gjatë zhvillimit të protestës ishin disa qindra forcat policore të angazhuara jo vetëm në bulevard, por në të gjithë Tiranën. Forcat e policisë, ku nuk mungonin natyrisht policet femra, risi e vendosur për çdo protestë të opozitës këto 18 muaj, ishin vendosu para Kryeministrisë, por edhe në pika të ndryshme të ndërtesave në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Policet femra në radhën e parë formuan një kordon për të mbajtur nën vëzhgim zhvillimin e këtij tubimi dhe duke qenë njëkohësisht objekt vëzhgimi i protestuesve. Në fund të mitingut, që zgjati më pak se dy orë, shpërndarja ishte paqësore.

Top Channel