Vdes një tifoz serb. Mediat në Beograd akuzojnë turqit për provokim me Kosovën

22/11/2014 00:00

Një i ri serb 25-vjeçar ka gjetur vdekjen pas përleshjeve mes tifozerisë
së Gallatasarajit dhe asaj të ‘Cervena Zvezda’ pas ndeshjes së
basketbollit e vlefshme për EuroLeague.

Policia turke ka deklaruar se ka bërë të gjitha përpjekjet që tifozët turq dhe ata serb të mos kenë asnjë kontakt me njëri tjetrin, ndërkohë që për vdekjen e 25-vjeçarit forcat blu kanë theksuar se ai është qëlluar me thikë nga një tjetër tifoz serb.

Ndryshe paraqitet situata pas ndeshjes në mediat serbe, të cilat kanë shkruar se tifozi i ‘Cervena Zvezdës’ është vrarë nga huliganët turq. Sipas tyre, huliganët turq kanë acaruar situatën në pallatin e sportit me shpalosjen e flamurit shqiptar dhe me thirrjet për Kosovën.

Në shkrimet e mediave serbe thuhet se ka qenë trajneri i Galatasarajit, Engin Ataman, i cili me deklaratat e tij pas ndeshjes i ka hedhur benzinë zjarrit. Reagimin më të ashpër ndaj trajnerit turk e ka dhënë konsulli serb në Stamboll, Zoran Markoviç, i cili e ka etiketuar atë terorist.

Top Channel