Irani, bisedimet në fazë vendimtare

22/11/2014 00:00

Bisedimet mbi programin bërthamor të Iranit kanë hyrë në javën vendimtare, e megjithatë nuk ka asnjë shenjë se do të mund të arrihet një marrëveshje përpara afatit fundor të së hënës.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry po vazhdon një raund të tensionuar bisedimesh që synon arritjen e një marrëveshjeje mbi programin bërthamor të Iranit para një afati kohor të rëndësishëm.

Kryediplomati amerikan u takua me homologun iranian Mohammad Javad Zarif në Vjenë, por pa arritur ndonjë rezultat konkret.

Janë shtuar shqetësimet se të dyja palët nuk do të jenë në gjendje të ngushtojnë diferencat e tyre në kohë. Ata mund të bien dakord për të shtyrë edhe një herë afatin për negociata.

Të enjten Kerry tha se ekipi i tij negociues nuk ka në plan të diskutojë zgjatjen e bisedimeve, por do të preferonte të arrinte një marrëveshjeje të plotë.

Irani dhe një grup i fuqive botërore, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania, Kina, Franca, Rusia dhe Gjermania përpiqen të arrijnë një marrëveshje që do të zvogëlonte programin bërthamor të Teheranit në këmbim të pakësimit të sanksioneve.

Top Channel