Republikanët padisin Obamën

22/11/2014 00:00

Klima politike në Uashington është ndezur si kurrë më parë. Republikanët kanë dorëzuar në gjykatë aktakuzën kundër qeverisë Obama për reformën shëndetësore, me arsyetimin se ajo është “antikushtetuese dhe e paligjshme”.

Të paditur zyrtarisht janë ministri i Financave, Jack Lew dhe ministrja e Shëndetësisë, Syliva Burwell. Veprimi ekstrem erdhi menjehere pas deklarates së Obamës se kishte vendosur të përdorte pushtetin ekzekutiv si president për ndërmarrjen e disa masave në politikat e emigracionit.

“Washington Post” e cilëson këtë “ndërhyrjen më të rëndësishme të një presidenti në sistemin e emigracionit prej tre dekadash”.

Rivalët i kishin bllokuar gjithmonë nismat ligjore të shefit të Shtëpisë së Bardhë për emigracionin dhe lëvizja e Obamës, logjikshëm shkaktoi në kampin e tyre aq zemërim sa të mendohet për nisjen e një procesi gjyqësor kundër administratës.

Kryetari i Senatit, Mitch McConell kaloi edhe në kërcënime: “Po qe se presidenti Obama injoron popullin dhe i detyron vendit vullnetin e tij, Kongresi do të veprojë”, u shpreh ai.

Në sytë e opinionistëve kjo atmosferë lufte nuk do të sjellë asgjë të mirë. Disa e justifikojnë lëvizjen e Obamës me faktin që bllokimi i çdo nisme e kishte vënë atë me shpatulla pas murit, duke e detyruar në një farë mënyrë të veprojë.

Ndërkohë, sipas një sondazhi të “NBC News”, 48% e amerikanëve janë kundër faktit që presidenti të veprojë pa Kongresin dhe vetëm 38% e mbështesin Obamën në rrugën që po ndjek.

Sipas “New York Times”, zgjidhja e ofruar nga presidenti nuk është afatgjatë pasi vetëm Kongresi mund të krijojë një sistem emigrimi të drejtë, i cili hap dhe rrugën e nënshtetësisë për punëtorët dhe familjet që jetojnë në Amerikë.

Top Channel