Haradinaj kritikon Mustafën

22/11/2014 00:00

Pas një jave me zhvillime të shumta politike, që kulmuan me lidhjen e aleancës mes dy partive më të mëdha të Kosovës, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj nuk i ka rreshtur kritikat.

Këtë të shtunë, Haradinaj vazhdoi me akuzat ndaj kreut të LDK-së, Isa Mustafa dhe këtë e bëri gjatë një takimi me strukturat e partisë së tij dhe me qytetarët në Pejë. Ai shkoi më tej kur tha se Mustafa deshi ta fuste në kurth.

“Donte të bëhesha i dyti pas tij, që të më dërgonte tek Thaçi. Fiks kështu ka qenë. Me këta ne jo vetëm që nuk do ta kishim arritur pushtetin, sepse ata të dy kanë numra boll dhe mund të na kishin lënë në mes të rrugës, sikurse në lanë, por do të na kishin hequr edhe të drejtat dhe parimet tona themelore. Ky do të ishte një rrezik shumë i madh për rrugëtimin politik të Kosovës”, tha Haradinaj.

Ai shpjegoi edhe arsyet përse nuk u tërhoq nga kërkesa e tij për të qenë kryeministër i Kosovës.

“Unë e dija që ata po e bënin me qëllim gjithë atë presion, e dija që do të kishte keqkuptime, por çmimi do të kishte qenë tepër i madh, sepse në fund ata prap do të bëheshin bashkë. Ne do të mbeteshim të rreshtuar pas Mustafës, por jashtë”, deklaroi Haradinaj.

Më tej, kreu i AAK-së shtoi se edhe vetë njerëzit e dy partive janë të shqetësuar sepse e dinë që nuk do të ketë ulje të korrupsionit, krimit dhe se populli nuk do ta durojë këtë.

Nga ana tjetër, anëtari tjetër i Bllokut paszgjedhor, Fatmir Limaj ka zhvilluar mbledhjen e këshillit kombëtar të Nismës për Kosovën. Në këtë mbledhje u diskutua dhe u mor vendimi për qëndrimin që do të mbajë ky subjekt pas prishjes së koalicionit.

Në një komunikatë të shpërndarë pas mbledhjes thuhet: “Nisma shprehet e bindur në nevojën për ndryshim në jetën politike të Kosovës, por i siguron anëtarët, simpatizantët, votuesit e saj dhe gjithë qytetarët e Kosovës se do të jetë një zë i fuqishëm opozitar  deri në arritjen e këtij ndryshimi”.

Top Channel