Të rrisësh fëmijët nga burgu

22/11/2014 00:00

Në jetën virtuale, Ilia Xoxe punon tek Posta Shqiptare. Por adresa e hapur në Facebook përdoret nga vëllai i tij për të shitur pikturat e 41-vjeçarit.

Në jetën reale, Ilian e gjen në burgun “Ali Demi”, si një të dënuar që prej katër vjetësh i ka habitur të gjithë. Atë në burg e quajnë Piktori. Autoritetet i kanë përshtatur një qeli në të cilën ai pikturon jo vetëm për të vrarë kohën.

“Porositë që duan i sjellin me USB, unë i hedh në kompjuter dhe vazhdoj punën. Pastaj lëmë takim, i nxjerr pikturat jashtë dhe marr porosi të reja. Kur fëmijët më qeshin në telefon jam më i kënaqur, punoj më fort. Kur nuk jam mirë, edhe peneli ngec”, tregon Xoxe.

Lekët që fiton, piktori ua dërgon dy fëmijëve të tij, të mbetur pa nënë e pa baba, pasi bashkëshortja ka ndërruar jetë dy vjet më parë.

“Fat i keq. Djali e di që unë jam këtu, por vajza kujton se jam në shkollë në Spanjë. Djali e mori vesh para pak kohësh, por vajza nuk e ka idenë”, thotë i dënuari.

Ilias i kanë mbetur edhe 11 muaj burgim, e përveçse pikturon, ai ka filluar të mendojë se çfarë do të bëjë pasi të fitojë lirine. Ai ka një ide që rrallë mund ta ketë një i dënuar që lë burgun: dëshiron të kthehet të japë kurse pikture për të rinjtë që po vuajnë heqjen e lirisë.

“Unë kam kaluar shumicën e kohës në Vaqarr dhe atje kam pjesën më të madhe timen. Por do të jepja kurse kudo”, shton Xoxe.

Top Channel