Britani, obeziteti gjithnjë e më alarmant

22/11/2014 00:00

Mjekët në Britaninë e Madhe japin alarmin mbi rrezikun e obezitetit tek fëmijët, një fenomen ky gjithmonë e më i përhapur në vend, i cili sjell me vete edhe rreziqe të mëdha.

Dieta e varfër ushqimore dhe mungesa e ushtrimeve fizike kanë bërë që deri edhe fëmijë shtatë vjeç të preken nga diabeti i tipit 2, ndërsa një brez i tërë përballet me rrezikun e atakut kardiak që në moshën 20-vjeçare.

Sipas autoriteteve vendase, rastet e diabetit janë shtuar ndjeshëm tek të rinjtë nën moshën 18 vjeç dhe më shumë se 83 të mitur më pak se 9 vjeç vuajnë sot prej kësaj sëmundjeje.

Përpara 15 vjetësh, shkruajnë mediat britanike, një situatë e tillë ishte e paimagjinueshme. Sëmundja në fjalë shfaqet përgjithësisht tek personat mbi 40 vjeç.

Frikën e mjekëve e shton edhe më shumë fakti që tek fëmijët diabeti duket të jetë edhe më agresiv sesa tek të rriturit, duke shkaktuar gjithashtu komplikacione të rënda.

Një në pesë 11-vjeçarë në Britani klasifikohet si obez, ndërsa tek të rriturit kjo shifër është një në katër, çka përbën një dyfishim të numrit të personave në mbipeshë në 25 vjet.

Tipi 2 është forma më e shpeshtë e diabetit dhe 80% e njerëzve të prekur prej saj janë obezë.

Top Channel