Meta: Paketa fiskale mbështet bujqësinë

22/11/2014 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë një vizite në një kompleks blegtoral në Torovicë të Lezhës, garantoi se mbështetja e shtetit do të jetë gjithmonë për ata që do të investojnë në bujqësi dhe në blegtori. Meta foli edhe për efektet pozitive që do të sjellë paketa e re fiskale në bujqësi.

“Paketa e re fiskale stimulon në mënyrë të veçantë zhvillimin e komplekseve blegtorale. Paketa do të rrisë dhe do të motivojë akoma më shumë drejtuesit e komplekseve blegtorale për të zgjeruar dhe për të hyrë në treg në mënyrë të sigurt dhe të suksesshme. Do të ulen në mënyrë të ndjeshme kostot, sidomos sa i takon kostos që ndikon në përmirësimin e racës këtu në vend për të rritur prodhimin”, deklaroi Meta.

Kryetari i Kuvendit kërkoi prej Ministrisë së Zhvillimit Rural dhe përfaqësuesve të institucioneve shtetërore që të informojnë ata që duan të investojnë në bujqësi dhe në blegtori për lehtësirat fiskale dhe për mundësinë e zhvillimit dhe rritjes më të shpejtë të këtij sektori, që do të ndikojë edhe në rritjen e punësimit.

Administratori i kompleksit blegtoral në Torovicë, zoti Martin Gjergji shprehu vlerësime për paketën e re fiskale. “Këto risi të paketës janë shumë të mira. Na japin kurajo që të punojmë dhe për të bërë më shumë në këtë sektor. Jam shumë i kënaqur me paketën e re fiskale dhe me mbështetjen shtetërore”, tha Gjergji.

Top Channel