Minxhozi: Protesta e parë e suksesshme e PD-së

22/11/2014 00:00

Për të folur më shumë për protestën e sotme të opozitës në Tiranë, në studion e lajmeve të Top Channel ka qenë i ftuar analisti Skënder Minxhozi.

TCH: Zoti Minxhozi, si e komentoni ju pjesëmarrjen e madhe të mbështetësve të opozitës në këtë protestë?

Skënder Minxhozi: Është vërtet e para protestë masive që opozita organizon që kur PD doli në opozitë dhe nuk është më në pushtet. Ka provuar edhe 3 herë të tjera të protestojë para zyrave të kryeministrit Rama: e para për rastin e Korçës për zëvendësimin e zv.kryeministrit; e dyta për rënien e monumentit të Enver Hoxhës; dhe e treta për skandalet e narkotrafikut të pretenduara prej saj. Në kundërshtim me këto tre protesta, që kanë qenë të dobëta dhe nuk kanë treguar asnjë puls, në këtë protestë PD ka qenë masivisht në shesh dhe mund të quhet e para protestë e suksesshme e saj, që vjen në kushte specifike pasi PD ndodhet jashtë Parlamentit. Megjithatë, pjesëmarrja qe masive dhe vërtetë e madhe

TCH: Kjo pjesëmarrje tregon ringritjen e PD apo rritjen e pakënaqësisë ndaj qeverisë?

Skënder Minxhozi: Në një vend ku mungojnë sondazhet, ku është e pamundur të kuptosh nivelin e pëlqyeshmërisë apo mospëlqyeshmërisë të faktorit politik, vështirë të thuhet sa është njëra apo tjetra, sidomos kur protesta sapo ka ndodhur. Është një fenomen që ndodh në vitin e dytë të qeverisjes së majtë dhe mesa duket edhe ky kabinet ka vendosur të marrë masa jo popullore, si rritja e taksave, për mendimin tim të tepruara, prishtjet masive të ndërtimeve pa leje apo edhe politika të tjera që janë parë si represive, që kanë prekur shtresat sociale dhe masa të gjera njerëzish, të cilët me bashkimin në shesh kanë dashur t’i japin një mesazh qeverisë. Për mendimin tim, qeveria Rama duhet ta kishte parë me më shumë kujdes buxhetin, pasi të rrisësh energjinë dhe të rrisësh taksat duke thënë se unë nuk i prek ato, mund të dëmtojë në afat të mesëm apo të gjatë punësimin dhe ato faktorë që ndikojnë për një jetesë më të shëndetshme jo vetëm për biznesin, por edhe për njerëzit.

TCH: Zoti Minxhozi, faleminderit.

Skënder Minxhozi: Faleminderit juve.

Top Channel