Droga, vritet një 28-vjeçar në Elbasan

22/11/2014 00:00

Një 28-vjeçar është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Beqir Dardha”, ku 28-vjeçari Fatjon Oska është plagosur rëndë nga plumbat e marrë dhe, me gjithë ndërhyrjen e mjekëve në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ai nuk ka mundur të mbijetojë.

Mësohet se i riu nga Cerriku ka qenë i vetëm në momentin kur i kanë bërë pritë për ta vrarë, duke shfrytëzuar edhe errësirën në rrugicat e lagjes.

Burime ende të pakonfirmuara bëjnë me dije se 28-vjeçari ka qenë person me precedentë penalë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Paraprakisht dyshohet se shkak i vrasjes kanë qenë pazaret e drogës.

Policia ka shoqëruar disa persona, të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen dhe mund të hedhin dritë mbi zbardhjen e saj.

Vrasja e së shtunës i shtohet bilancit të rëndë të ekzekutimeve të ndodhura më herët gjatë muajit në vend, ku në 8 ditët e fundit mund të numërohen tre të tilla.

Rasti i parë ishte të premten e javës së kaluar, kur një 37-vjeçar u ekzekutua kur po dilte nga banesa e të vëllait në fshatin Tërvol të rrethit të Gramshit. Përparim Duzhda kishte pak ditë që ishte kthyer nga Belgjika ku jetonte si emigrant. Autorët e krimit u arrestuan një ditë më vonë.

Dy ditë më vonë trupi i pajetë i një të riu u gjët në afërsi të Kavajës. Bazuar në të dhënat paraprake, policia njoftoi se bëhej fjalë për një 24-vjeçar nga fshati Hajdaraj që ishte vrarë po me armë zjarri për motive banale.

Ndërkohë, pronari i një lokali në qendër të Durrësit mbeti i vrarë me armë zjarri në një atentat mbrëmjen e së martës. Larje hesapesh për pazare droge ishte pista kryesore ku u përqendruan hetimet hetimet e policisë.

Top Channel