Messi, falenderime e dedikime për rekordin

23/11/2014 00:00

Lionel Messi falënderoi shokët e skuadrës dhe trajnerët e së shkuarës e të tashmes, pasi u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në La Liga, pas trigolëshit të shënuar në fitoren shkatërruese 5-1 të Barcelonës ndaj Sevillas.

Argjentinasi 27-vjeçar kaloi në avantazh “blaugranat”, një gol që e barazoi atë me 251 golat e Telmo Zarras në ndeshjen e tij të 289 të zhvilluar në kampionatin spanjoll. Por Messi nuk u ndal me kaq, pasi shënoi edhe golin e katërt dhe të pestë të ekipit të tij, duke koleksionuar kështu “tripletën” e 27 të tij me Barçën, duke u bërë kështu kryegolashënuesi i historisë së futbollit spanjoll.

“Kur kam shënuar këtë gol (referuar të parit ndaj Albacetes), nuk mund ta imagjinoja kurrë se mund të thyeja një rekord, e aq më pak se do të thyeja rekordin e të madhit Telmo Zarra”, shkroi ai në faqen e tij zyrtare në Facebook, duke e shoqëruar mesazhin e tij edhe me golin e tij të parë me Barçën ndaj Albacetes në majin e vitit 2005.

“Megjithatë, kam mundur të koleksionoj këtë arritje vetëm falë mbështetjes që kam pasur nga kaq shumë njerëz gjatë periudhës sime këtu, ndaj dhe dua t’ua dedikoj këtë arritje të gjithëve ju”.

“Falemnderit që keni qëndruar gjithnjë me mua. Do të doja t’ua dedikoja këtë arritje edhe njerëzve që nuk janë më mes nesh. Nuk do t’iu harroj kurrë. Falemnderit për gjithçka”.

Trajneri aktual i Barcelonës, Luis Enrique, e ka kënaqësinë e të stërviturit të 4 herë fituesit të “Topit të Artë” prej vetëm pak muajsh, por beson se ai do të mbahet mend si më i miri i të gjitha kohërave.

“Ai është unik dhe i papërsëritshëm”, tha Enrique, i cili lavdëroi ekipin e tij për performancën më të mirë që prej marrjes së drejtimit të klubit nga ana e tij. “Nuk mund ta krahasoj Messin me asnjë tjetër që kam parë në të kaluarën, edhe pse kam parë shumë. Di vetëm që nuk kam parë lojtar si ky dhe e kam për kënaqësi ta stërvis çdo ditë”.

Top Channel