Inzaghi e Mancini, në “show”-n e fundit para derbit

23/11/2014 00:00

Trajneri i Milanit, Filippo Inzaghi, shprehet gjithë besim përpara derbit me rivalët e të njëjtit qytet, Interit që tashmë drejtohet nga Roberto Mancini, teksa kjo sfidë do të tërheqë të gjithë vëmendjen e futbollit italian këtë të diel.

Inzaghi ka thënë se ekipi i tij nuk ka përse të trembet nga Interi, i cili është vetëm 1 pikë mbrapa kuqezinjve.

“Le të fitojë ekipi më i mirë, megjithatë sinqerisht besoj se do të jetë e pamundur që ata të jenë më të fortë se ne”, tha Inzaghi në pragndeshje, duke i thurur edhe lavde Mancinit.

“Mancini ka më shumë eksperiencë në të tilla ndeshje si trajner, krahasuar me mua, por unë ruaj ende emocionet e këtyre sfidave si lojtar. Një ndeshje derbi është e ndryshme nga të tjerat, nuk duhet thjesht të luhet, por duhet të fitohet”, shtoi 41-vjeçari, i cili ka kaluar 11 vite si lojtar te Milan, duke shënuar 73 gola.

E ndërsa mbrojtja pëson një tjetër goditje, pas dëmtimit të Alex, duke qenë se deri më tani ka pësuar 16 gola në 11 ndeshje, Inzaghi mund të shpresojë më shumë nga ish-sulmuesi i Chelseat dhe Liverpoolit, Fernando Torres, i cili ka shënuar vetëm 1 gol që prej ardhjes nga “Stamford Bridge”.

“Jam i lumtur me të dhe shpresoj që do të shpërthejë. Fernando mund të na shtyjë drejt vendeve më të larta në tabelën e klasifikimit”, vazhdoi Inzaghi.

Mancini, ekipi i të cilit ka arritur vetëm 4 fitore dhe 3 humbje në 11 ndeshje deri më tani, beson se derbi i Milanit ka një “sharm unik” dhe të pakrahasueshëm me të tjerët. Ai do të japë më të mirën e të dy ekipeve.

“Është e vetmja përballje derbi, ku dy ekipet kanë petkun e të qenit pretendent për të gjitha kompeticionet, përfshi këtu titullin e Serie A dhe Champions League”, shpjegoi ish-trajneri i Manchester Cityt dhe Galatasarayt.

“Jemi duke folur për dy ekipe që janë në historinë e futbollit italian, kështu që duhet ta nisim sa më mirë të mundemi, pse jo mbi të gjitha të luajmë një futboll të bukur”.

“Pippo ka një të kaluar të madhe si lojtar dhe është në eksperiencën e parë si trajner, por mund të ketë të ardhme të ndritur. Milani e di se trajnerët e rinj ndonjëherë mund të gabojnë, por nuk është e lehtë ta nisësh në të tilla nivele, edhe pse ne mendojmë se dimë gjithçka”, shtoi Mancini.

Top Channel