Bayern Munchen, i pathyeshëm në Bundesliga

23/11/2014 00:00

Edhe pa Badstuber, Alaba, Lahm, Javi Martinez, Pizarro dhe Thiago Alcantara, Bayerni i Guardiolës i ka shënuar 4 gola Hoffenheimit dhe, falë humbjes së Wolfsburgut, e çon në 7 pikë diferencën me vendin e dytë në Bundesliga.

Rezultoi një ndeshje e lehtë ajo në “Allianz Arena” për bavarezët, të cilët kaluan në avantazh me një supergol të Gotzes. 5 minuta nga fundi i pjesës së parë, Lewandowski dyfishoi rezultatin, pas një asisti të Robben.

Holandezi gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 82-të, ndërkohë që në fund të ndeshjes, Sebastian Rode shndërroi në gol një top të marrë nga Schweinsteiger, i cili u rikthye pas një kohe të gjatë në fushë.

Por, edhe Munchengladbachu i vendit të tretë nuk ka mundur të ruajë avantazhin e pjesës së parë, duke u mposhtur 3-1 në fushën e tij nga Eintracht Frankfurt, duke mbetur 10 pikë larg bavarezëve, në një ndeshje ku Granit Xhaka u ndëshkua me dy kartonë të verdhë dhe u detyrua të linte fushën e lojës përpara kohe.

Ndërkohë, tekniku italian i Schalke 04, Roberto di Matteo, thjesht sa i bëri “nxehjen” ekipit të tij përpara vizitës së ish-ekipit të tij, Chelsea, nga ku u shkarkuar në vitin 2012 pas vetëm 6 muajsh eksperiencë dhe pas fitores së titullit të Champions Leagues, teksa fitoi 3-2 ndaj Wolfsburgut.

Dortmundi nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 ndaj Paderbornit në transfertë, edhe pse ishte në avantazh të dy golave, duke mbetur 1 pikë mbi zonën e rënies nga kategoria, ndërkohë që në mesjavë do të ndeshen me Arsenalin për Champions.

Top Channel