Hapja e bunkerit antibërthamor

23/11/2014 00:00

Kthimi i bunkerit anti-bërthamor në një qendër arti nuk i shpëtoi vëmendjes së mediave ndërkombëtare.

Me titullin  “Shqipëria hap dyert e një bunkeri gjigand të Luftës së Ftohtë “, “BBC” shkruan se qeveria e riktheu në jetë ish-strehimin e fortifikuar ndryshe, tashmë si një atraksion turistik.

“Bunkeri sekret i të shkuarës do shërbejë si një ekspozitë e vërtetë për artistët”, shkruan “Sky News”.

Ndërkohë “Business Insider” sjell në vëmendje historikun e këtij objekti, duke shkruar se: “Atë që diktatori Enver Hoxha e përdorte për t’u mbrojtur nga ndonjë sulm i Perëndimit, që nuk erdhi kurrë, pas kaq vitesh u transformua në një kompleks thuajse me 5 yje”.

Ndërkaq prestigjiozja gjermane “Blick” e ka cilësuar rrugëtimin drejt nëntokës si “sekret që është zbuluar”.

Por jehona e dëshmisë historike që ky bunker përfaqëson ka shkuar deri në Azinë e largët. “Japan Times” dhe “Bankong Post” përshkruajnë ambientet e brendshme të strehës komuniste.

Ato shkruajnë se bunkeri shumë metra nëntokë ka një hapësirë gjigande prej 106 dhomash dhe mbarëvajtja e tij do jetë nën kujdesin e veçantë të Ministrisë së Kulturës.

Bunkeri anti-bërthamor, u hap të shtunën për herë të parë për publikun, gati çerek shekulli pas rënies së regjimit komunist. Objekti ndodhet në periferi të Tiranës dhe atje ku do të strehohej udhëheqja e lartë në rast të një sulmi bërthamor ndaj Shqipërisë.

Top Channel