Turqi, Biden: Një strehë të sigurt për botën

23/11/2014 00:00

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, ndodhet në Turqi për një takim me Presidentin Recep Tayyip Erdogan, i cili kohët e fundit është akuzuar për rritjen e tendencave autoritare në vend.

Mirëpo kryefjalë e bisedimeve ishte fakti se, Turqia po luan rolin e një partneri ngurrues në koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Shtetit Islamik.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Biden u shpreh se “ne duhet të krijojmë një strehë të sigurt për botën, gjithmonë duke mposhtur ISIS, si dhe duke forcuar pozitën siriane dhe jo vetëm. Ne duhet të tregohemi të bashkuar”.

Në emër të Uashingtonit, Biden deklaroi se SHBA do të japin një fond prej 135 milionë dollarësh ndihma, për refugjatët sirianë të shpërngulur nga luftimet. E më tej, duke iu referuar në mënyrë specifike Turqisë, zëvendëspresidenti amerikan shtoi se “kontrolli i qeverisë në çdo fushë nuk është mënyra më e mirë për të ruajtur lirinë e një vendi”.

Por, Biden gjithashtu i bëri thirrje Evropës të vazhdojë diversifikimin e furnizimeve të saj të energjisë, në mënyrë që të reduktohet varësia nga Rusia, e cila nuk duhet të përdorë burimet e saj më të mëdha, si gazin dhe naftën, si një mjet gjeopolitik.

Top Channel