Afganistan, pakti i sigurisë merr “gjysmë” miratimi

23/11/2014 00:00

Dhoma e ulët e Parlamentit afgan ka miratuar në shumicë dërrmuese marrëveshjen e re të sigurisë, që i lejon trupat e Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s të qëndrojnë në vend përtej fundit të këtij viti.

Marrëveshja ofron ndihmë ligjore për trupat që shërbejnë në misionin e ri të NATO-s, i cili do të nisë pas përfundimit zyrtar të operacioneve luftarake, më 31 dhjetor të këtij viti. Marrëveshja duhet ende të ratifikohet nga dhoma e lartë e Parlamentit afgan.

Megjithatë, miratimi i së dielës vjen vetëm një ditë pasi zyrtarët amerikanë thanë se trupat e tyre do të kenë mundësi sërish të shënjestrojnë talebanët përgjatë vitit 2015.

Dhoma e ulët aprovoi Marrëveshjen Bilaterale të Sigurisë (BSA) dhe Marrëveshjen për Statusin e Forcave (SOFA) me 152 vota pro dhe 5 kundër.

Presidenti afgan, Ashraf Ghani, kishte firmosur marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n në shtator, menjëherë sapo u zgjodh në krye të vendit, edhe pse ish-Presidenti Hamid Karzai e kishte refuzuar diçka të tillë.

Miratimi parlamentar është një hap i rëndësishëm përpara, pasi NATO ka nisur tërheqjen e shumicës së trupave nga 50 mijë që kishte në fillim të vitit 2014, shumica e të cilëve janë amerikanë.

Numri i përgjithshëm i trupave në misionin e ri të udhëhequr nga NATO do të jetë 12 mijë dhe do të kenë mision trajnues, këshillues dhe asistues ndaj forcave afgane të sigurisë.

Top Channel