Një ditë pas protestës së opozitës, ndër kërkesat e së cilës ishte edhe energjia elektrike, numri dy i qeverisë, Niko Peleshi, ishte vetë në një nga aksionet OSHEE-së, në një nga zonat e Tiranës për të folur për këtë çështje.

Sfida me energjinë është madhore, tha ai, ndaj kërkon bashkëpunimin e të gjithëve, së pari për të përçuar tek qytetarët mesazhin se secili duhet të paguajë energjinë që konsumon.

“Duhet zhbërë padrejtësia e instaluar në vite në dëm të atyre që e paguajnë energjinë elektrike”, deklaroi zëvendëskryeministri.

“Nëse secili paguan energjinë që konsumon, llogaritë e qeverisë flasin për një rritje të konsiderueshme të buxhetit të shtetit. Kjo është një betejë kundër plagëve të shoqërisë, jo për të rregulluar shifrat e kompanisë. Paratë që duhet të shkonin për investime dhe për hapje vendesh pune, shkojnë për të kompensuar qindra miliona dollarë që vidhen çdo vit”, shtoi zoti Peleshi.

Për përfaqësuesit e qeverisë, në deklarimin e parë mediatik për protestën e opozitës dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në të, ajo që bëri Partia Demokratike një ditë më parë, vetëm një vit pasi është larguar nga pushteti, ishte populizëm. Cdo qeveri tha zëvendëskryeministri ka dy rrugë: ose të jetë një qeveri e masave populiste, e koncesioneve dhe faljeve, ose të jetë një qeveri e reformave. Edhe opozita këto dy alternativa ka dhe si duket ka zgjedhur rrugën e populizmit. Ne duam që të vendosim drejtësi në sistem. Nuk duam që pensionisti të paguajë faturën e biznesmenit.”

Reformat e ndërmarra nga qeveria, tha zëvendëskryeministri, kërkojnë së pari shkëputjen njëherë e mirë nga problemet e së shkuarës që e mbajtën vendin peng për vite me radhë dhe që kjo opozitë i njeh mirë pasi ishte ajo që i nxiti apo shkaktoi kur ishte në pushtet.

Top Channel