Të burgosurit kërkojnë amnisti

23/11/2014 00:00

Nga mungesa e zërave për një amnisti, e cila përfshin burgjet çdo nëntor apo festat e fundvitit, kësaj radhe janë vetë të dënuarit, të cilët kërkojnë që mos të harrohen as për këtë vit.

Duke ngritur zërin jo vetëm për veten, por çuditërisht edhe për dëmin ekonomik që i shkaktohet shtetit. Nëpërmjet një letre publike të dërguar institucioneve kryesore në vend,  35 të dënuar shprehen se, aktualisht në burgje ka mbipopullim dhe kjo gjendje, sipas tyre, sa vjen e rëndohet.

Te dënuarit thonë në letrën e dërguar edhe Top Channel se aktualisht mbahen 1500 persona mbi kapacitetin e sistemit penitenciar dhe çdo njëri prej tyre i kushton shtetit 450 euro ne muaj.

“Në këto kushte, thuhet në letër, një festë e madhe po vjen dhe ajo është 70 vjetori i Çlirimit të vendit, e për këtë ju lutemi shikoni mundësinë të aplikoni një amnisti të përgjithshme, e cila të parashikojë tre vjet ulje dënimi”.

“Kujtojmë, e mbyllin letrën të dënuarit , se një pjesë e jona është plotësisht e rehabilituar dhe të gatshëm për t’u kthyer në shoqëri për të punuar e ndihmuar familjet tona, pa dashur t’i jemi barrë buxhetit të shtetit”.

Top Channel