Tabaku: Protesta, këmbanë alarmi për qeverinë

23/11/2014 00:00

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ishte e ftuar në studion e lajmeve të Top Channel, ku foli në lidhje me protestën e ditës së shtunë.

“Të gjithë ata që ishin dje në protestën e opozitës, në protestën qytetare ishin sepse kërkojnë që qeveria të mbajë premtimet. Në protestë ishin shumë qytetarë që e kanë paguar energjinë elektrike dhe që i paguajnë taksat, por nuk duan rritjen e tyre,” kështu është shprehur deputetja e PD.

Ilir Paço: Në analizën që i bëtë protestës së një dite më parë, a ishte një mbështetje për Partinë Demokratike ajo pjesëmarrje, apo një prani për shkak të pakënaqësisë prej një serie aksionesh të ndërmarra nga qeveria?

Jorida Tabaku: Dua të falenderoj të gjithë qytetarët që morën pjesë në protestën e organizuar ditën e shtunë, strukturat e PD, të partive aleate, por njëkohësisht edhe përfaqësues të sindikatave që ishin të pranishëm. Në lidhje me pyetjen tuaj, sigurisht që ishte momenti i përshtatshëm. Kjo qeveri është në pushtet prej gati një viti e 3 muaj, gjithashtu janë akumuluar një sërë çështjesh, të cilat prekin në mënyrë direkte jetën e qytetarëve. Para disa ditësh isha në Cërrik dhe gjysma e banorëve të këtij qyteti ishin përjashtuar në mënyrë të padrejtë nga ndihma ekonomike. Kjo ishte një arsye për ta për të protestuar. Ju përmendët prishjen e ndërtimeve, unë do të them ndërtimet me leje dhe jo prishjen e ndërtimeve pa leje, se askush atje nuk ka ardhur të protestojë as pse hiqet energjia elektrike dhe as pse prishen ndërtimet pa leje. Të gjithë ata që ishin dje në protestën e opozitës , në protestën qytetare ishin sepse kërkojnë që qeveria të mbajë premtimet. Në qoftë se një qeveri premton se do të ulë me 20 përqind dhe do të heqë TVSH-në e energjisë elektrike, ndërkohë që e rrit çmimin e saj, natyrisht që qytetarët do të protestojnë.  

Ilir Paço:  Ka një perceptim që PD po merr në mbrojtje paligjshmërinë, kur bëhet fjalë për aksionin e ndërprerjes së lidhjeve të paligjshme të energjisë, pagesën e energjisë nga të gjithë, apo prishjen e ndërtimeve pa leje dhe për problemin e rishikimit të ndihmës sociale. A keni ju një përgjigje në lidhje me këto akuza që bëjnë kundërshtarët?

Jorida Tabaku: Është e kundërta. Dje në protestë ishin shumë qytetarë që e kanë paguar energjinë elektrike dhe që i paguajnë taksat, por nuk duan rritjen e tyre. Vetëm vitin e fundit, Autoriteti i Konkurrencës ka deklaruar që ka pasur tendera korruptiv në masën 7 milionë euro, ndërkohë që 16 milionë euro është i gjithë subvencioni për energjinë elektrike. Ka ndodhur që humbjet në rrjet janë përkeqësuar me 10 përqind dhe ishin 28 përqind e totalit të rrjetit, ndërkohë që sot janë 39 përqind e faturimit të energjisë elektrike. Në qoftë se qeveria do të merrte masa të reduktonte këtë 10% do të shërbente që çmimi i energjisë të mos rritej. Ndërtime me leje që prishen përditë, ndërkohë që lihen ndërtime pa leje të militantëve socialist, të vëllezërve të deputetëve, të kryetarëve të Partisë Socialiste në zona, të cilat janë deklaruar çdo ditë nga PD-ja si vendime korruptive. Për këto pabarazi përpara ligjit, pikërisht për mos mbajtjen e premtimeve ishte protesta e djeshme.

Ilir Paço: Kur do të jetë protesta e radhës?

Jorida Tabaku: Protesta e djeshme tregoi se kur njerëzit preken, kur premtimet nuk mbahen, ata janë të gatshëm të ngrihen përsëri. Protesta e djeshme duhet t’i shërbejë qeverisë si ‘kambanë alarmi’.

Ilir Paço: Megjithatë ka edhe një kërkesë të vazhdueshme nga komuniteti ndërkombëtar për t’u kthyer në Parlament. Do të vazhdoni të ‘luftoni’ në rrugë apo do të riktheheni në Parlament? Kur mendohet kthimi?

Jorida Tabaku: Betejën opozita do ta luajë me të gjitha mënyrat e saj. Kthimi në Parlament varet nga disa kushte që ne i kemi deklaruar më parë. Vjet në dhjetor në bëmë propozime për 22 amendamente dhe asnjë nga ata nuk u shqyrtua. Ndërkohë që vazhdon kapja e institucioneve të pavarura, vazhdon e njëjta metodë sikur ne ishim në Parlament ashtu edhe sot që jemi jashtë tij. Sigurisht që do të ishte më mirë që e gjitha kjo luftë të bëhej në Parlament, por alternativa jona është që hapësirat në Parlament janë të cunguara.

Ilir Paço: Ka kaluar kohë nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike ku u zgjodh Këshilli i ri Kombëtar, por ai nuk është mbledhur asnjëherë. Kur pritet të mblidhet Këshilli, ku do të zgjidhen edhe strukturat e reja?

Jorida Tabaku: Nuk është se ka kaluar ndonjë kohë shumë e gjatë nga zgjedhja e Këshillit Kombëtar të PD, ka vetëm pak javë. Ndërkohë, sipas deklaratave të kreut të PD, brenda nëntorit edhe për forumet më të larta do të përfundojnë zgjedhjet. Sigurisht që ka qenë një proces i hapur për të gjithë, ka qenë një proces që ka përfshirë mbi 100 mijë anëtarë dhe rezultati kërkon kohë.
 

Top Channel