Kontrolli i klinikave stomatologjike

23/11/2014 00:00

Për herë të parë ka nisur një kontroll ndaj klinikave stomatologjike dhe kabineteve dentare, shërbim i cili ofrohet privatisht, por deri më tani gjithçka ishte lënë në ndërgjegjen e stomatologëve edhe pse lidhet direkt me shëndetin e qytetarëve.

Inspektorati Shtetëror Sanitar, përveç kushteve higjeno-sanitare, të cilat deri diku janë të pranueshme   ka konstatuar klinika dentare, të cilat ndonëse prodhojnë mbetje spitalore nuk dihet se ku i hedhin ato, pasi nuk kishin kontrata me subjekte të caktuara për përpunimin e tyre.

“Kemi inspektuar afro 145 klinika në qytetin e Tiranës. Qëllimi i inspektimit është dhe do të jetë edhe në vazhdimësi: Vendosja në një standard, për sa i përket kualitetit dhe i ofrimit të shërbimit të klinikave. Nga këto 145 klinika stomatologjike problemi i parë që është evidentuar mos pajisja me kontratën për mbetjet spitalore dhe kjo është evidentuar në 109 klinika. Këtu shtrohet një pikëpyetje e madhe se ku hidhen këto mbetje spitalore”, u shpreh Gjergj Koja kryeinspektori i Tiranës.

Vetëm në vendin tonë ndodh që klinikat dentare nuk kanë kartel të pacientit, të cilit i ofrojnë shërbim. Nga ana tjetër zotëruesit e klinikave dentare nuk interesohen për nivelin e rrezatimit  që shkaktojnë pajisjet që ata përdorin për të bërë një grafi të dhëmbit të pacientit.

“21 klinika nuk dispononin kartelën e pacientit dhe kjo është e pafalshme që në një klinikë stomatologjike të kryhet një operacion dhe paciente të mos ketë kartelën e tij. 43 klinika ishin të pajisura me aparate të rrezeve X, por 31 klinika nuk ishin të pajisura me vërtetimin teknik, të cilin e kanë detyrim ligjor” tha Koja.

Në disa klinika është konstatuar mungesë e librezave shëndetësore e punonjësve që punonin në to, si dhe nuk ishin pajisur me akt miratim higjeno-sanitar. Kontrolli i Inspektoratit Sanitar sapo ka nisur dhe do të kalojë në sitë të gjitha klinikat stomatologjike dhe kabinetet dentare. Ato që kanë rezultuar me shkelje u është lënë afat 15 ditë për të përmbushur detyrimet e përcaktuar. Sipas Kojës, pas këtij afati do të ketë penalizime me gjobë që varion deri në 200 mijë lekë.

Top Channel