Irani, shtyhet për në qershor 2015 afati

24/11/2014 00:00

Irani dhe gjashtë fuqitë botërore kanë dështuar për të dytën herë brenda këtij viti për të zgjidhur mosmarrëveshjet 12-vjeçare mbi ambiciet bërthamore të Teheranit, duke i dhënë të hënën edhe 7 muaj të tjerë kohë për të tejkaluar pengesat e fundit, që nuk u lejuan atyre të nënshkruanin një marrëveshje historike.

Zyrtarë të Perëndimit thanë se kanë synuar të sigurojnë një marrëveshje mbi thelbin që do të ketë akordi përfundimtar që prej muajit mars, por edhe se do të duhet më shumë kohë për të arritur konsensusin mbi të gjitha detajet e rëndësishme teknike.

“Ne kemi arritur në përfundimin se është e pamundur të sigurojmë një marrëveshje brenda afatit të përcaktuar për këtë të hënë, ndaj dhe do ta shtyjmë atë deri më 30 qershor 2015”, tha Sekretari i Jashtëm britanik, Philip Hammond, në fund të bisedimeve.

Ai iu referua të ashtuquajturit Plan i Përbashkët Veprimi, një marrëveshje e përkohshme e dakordësuar mes gjashtë fuqive perëndimore dhe Iranit një vit më parë në Gjenevë, sipas të cilit Teherani ka ndalur pasurimin e uraniumit në nivele të larta në këmbim të lehtësimit të disa prej sanksioneve, përfshi edhe aksesin në disa prej të ardhurave të ngrira nga nafta jashtë vendit.

Hammond tha se pritshmëritë ishin që Irani do të vazhdonte vetëpërmbajtjen në lidhje me veprimtarinë e ndjeshme bërthamore.

Ai shtoi se Irani dhe fuqitë perëndimore “bënë një progres të qenësishëm” në raundin e fundit të bisedimeve, që nisën prej së martës së kaluar në kryeqytetin austriak. Hammond tha se tashmë ka një objektiv të qartë, për të arritur një “marrëveshje kuadër” mbi thelbin e akordit përfundimtar brenda 3 muajve të ardhshëm, ndërsa bisedimet do të rifillojnë muajin tjetër.

Është ende e paqartë se ku do të zhvillohen bisedimet e muajit të ardhshëm, tha ai, duke cituar se gjatë periudhës së zgjatur rishtazi, Teherani do të mund të vazhdojë aksesin në rreth 700 milionë dollarë në muaj lehtësime nga sanksionet.

Një zyrtar iranian konfirmoi shtyrjen e bisedimeve, ashtu siç bëri të ditur edhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili lavdëroi komentet e Hammond mbi “progresin substancial”.

Top Channel